Malet e Zvicrës kanë marrë pamjen e parë dimërore, pasi reshjet e borës kanë mbuluar disa zona alpine që nga mëngjesi i së premtes. Pamjet nga kamerat e drejtpërdrejta në St. Moritz, Männlichen, Lauberhorn, Jochpass, Jakobshorn dhe Lenzerheide tregojnë peizazhe të zbardhura, duke ngjallur entuziazëm te adhuruesit e dimrit, përcjell albinfo.ch.
Vendpushimi i skijimit Arosa Lenzerheide e ka përshëndetur ardhjen e borës në rrjetet sociale me shprehjen “Puthja e parë e dimrit”, ndërsa edhe përdorues të shumtë kanë shprehur kënaqësinë për ndryshimin e motit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, kufiri i reshjeve të borës ka zbritur fillimisht në rreth 1.500 metra, ndërsa në disa zona pritet të arrijë deri në 1.300 metra lartësi. Bashkë me reshjet, temperaturat kanë shënuar rënie të dukshme në pjesë të mëdha të vendit.
Të premten, temperaturat maksimale parashikoheshin të arrinin rreth 15 gradë Celsius në Bazel dhe Cyrih, 14 gradë në Bernë dhe vetëm 12 gradë në St. Gallen. Në jug të Alpeve, ndërkaq, moti mbetet më i butë, me temperatura deri në 20 gradë në Lugano.
Pavarësisht pamjeve dimërore, kjo nuk nënkupton se sezonit të skijimit i ka ardhur koha të nisë. Shumica e qendrave të skijimit në Zvicër planifikojnë hapjen në fund të nëntorit, varësisht nga kushtet atmosferike dhe gjendja e shtresës së borës. /Albinfo.ch