Kosova

BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të ngadalësohet, inflacioni të rritet në 6.7% gjatë vitit 2026

Raporti vjetor i Bankës Qendrore parashikon rritje ekonomike prej 3.5%, ndërsa paralajmëron se tensionet globale, inflacioni dhe deficiti tregtar mbeten sfidat kryesore për ekonominë e vendit.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar raportin e saj vjetor, në të cilin parashikon se ekonomia e vendit do të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit 2026, por me një ritëm më të ngadalësuar, ndërsa inflacioni pritet të shënojë rritje të ndjeshme, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3.5 për qind gjatë këtij viti, krahasuar me rritjen prej 3.6 për qind të regjistruar në vitin 2025. Rritja ekonomike do të mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm, remitencat, eksportet e shërbimeve dhe shpenzimet e diasporës.

BQK paralajmëron se inflacioni mesatar gjatë vitit 2026 pritet të arrijë në 6.7 për qind, si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve, energjisë elektrike dhe ndikimeve nga tregjet ndërkombëtare. Sipas institucionit, inflacioni pritet të fillojë të zbutet gradualisht gjatë vitit 2027.

Raporti thekson se ekonomia e Kosovës mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve nga zhvillimet globale, përfshirë tensionet gjeopolitike, çmimet e energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe ngadalësimin e ekonomive të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në eksportet dhe investimet.

Në sektorin e jashtëm, BQK vlerëson se deficiti tregtar është thelluar gjatë vitit 2025, pasi importet janë rritur me ritëm më të shpejtë sesa eksportet. Importi i mallrave ka arritur në 7 miliardë euro, ndërsa eksporti është rreth 942 milionë euro, duke reflektuar varësinë e lartë të ekonomisë nga mallrat e importuara.

Nga ana tjetër, eksporti i shërbimeve ka vazhduar të shënojë rritje të konsiderueshme, kryesisht falë shpenzimeve të diasporës dhe sektorit të turizmit, duke kontribuar pozitivisht në ekonominë e vendit.

Raporti evidenton gjithashtu rritje të të hyrave buxhetore, numrit të bizneseve të reja dhe investimeve publike, ndërsa thekson se ruajtja e stabilitetit ekonomik do të varet nga vazhdimi i reformave dhe zhvillimet në ekonominë globale./Albinfo.ch