Bota
Më shumë se 200 të vdekur nga uragani “Helene” në SHBA
Gati 1.8 milionë shtëpi dhe biznese në shtatë shtete, nga Florida deri në Ohajo mbetën pa energji elektrike natën që goditi uragani Helene
Numri i të vdekurve nga uragani Helene shkoi në 227 të shtunën, ndërsa vazhdojnë përpjekjet mbi njëjavore për gjetjen e trupave nga stuhia vdekjeprurëse që shkatërroi juglindjen amerikane, duke shkaktuar viktima në gjashtë shtete.
Më 26 shtator uragani goditi brigjet jugore amerikane, një stuhi e kategorisë 4, duke sjellë shkatërrime të rrugëve dhe përmbytje të shtëpive dhe objekteve të tjera në pjesën veriore të Floridës, dhe la miliona njerëz pa energji elektrike dhe shërbim të telefonisë celulare. Sipas zyrtarëve, ka të ngjarë që numri i të vdekurve të rritet edhe më tej, pasi ende nuk dihet për fatin e shumë të tjerëve, raporton Zëri i Amerikës, përcjell albinfo.ch.
Helene është uragani më vdekjeprurës që ka goditur Shtetet e Bashkuara që nga uragani Katrina në vitin 2005. Rreth gjysma e viktimave u regjistruan në Karolinën e Veriut, ndërsa dhjetëra të tjerë humbën jetën në Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut.
Qyteza Asheville, që shtrihet në vargmalet perëndimore të Karolinës së Veriut, u godit tejet rëndë. Përmbytjet shkatërruan mijëra biznese dhe shtëpi në pellgun që zgjatohet mes maleve përbri lumit “French Broad”.
MaryAnn Tierney, administratore rajonale me Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA), tha se banorët e prekur nga fatkeqësia në Karolinën e Veriut kanë marrë 27 milionë dollarë nga agjencia federale.
Zyra e guvernatorit, Roy Cooper, tha se më shumë se 83,000 njerëz janë regjistruar për ndihma individuale. Ndihmat e miratuara nga agjencia FEMA për qarkun Buncombe, ku përfshihet qyteza Asheville, ka tejkaluar shumën prej 12 milionë dollarësh për të mbijetuarit, tha zyrtarja Tierney të shtunën.
“Ndihma është për nevojat imediate të të mbijetuarve”, tha ajo gjatë një konference shtypi.
Uragani Helene u formua disa mijëra kilometra larg në Gjirin e Meksikës, por shkatërrimet më të mëdha i solli disa qindra kilometra në thellësi të tokës, duke dëmtuar pjesë të Floridës, Xhorxhias, vargmalet e banuara të Karolinës së Veriut dhe Jugut e deri në shtetin Tenesi.
Gati 1.8 milionë shtëpi dhe biznese në shtatë shtete, nga Florida deri në Ohajo, mbetën pa energji elektrike natën që goditi uragani Helene. Sipas zyrtarëve të kompanive të sigurimeve dhe ekspertëve, dëmet e shkaktuara nga uragani Helene pritet të arrijnë vlerën e rreth 100 miliardë dollarëve.
E-Diaspora
-
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës “Vajzë”: Moda si urë mes kulturave... -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj -
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025









