Muzikë
Holanda tërhiqet nga Eurovision 2027
“Ndryshimet e paralajmëruara nuk na japin besim të mjaftueshëm se karakteri i pavarur dhe neutral i Eurovisionit është rikthyer.”
Transmetuesi publik holandez AVROTROS ka konfirmuar sot se nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest vitin e ardhshëm.
Si arsye për këtë vendim përmenden ndarjet e krijuara rreth luftës në Gaza, për shkak të të cilave transmetuesi holandez vlerëson se gara nuk mund të konsiderohet më neutrale, përcjell albinfo.ch.
Drejtori i përgjithshëm i AVROTROS, Taco Zimmerman, e shpjegoi vendimin në një deklaratë zyrtare:
“Është e pamohueshme se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në garë dhe po minojnë karakterin e saj neutral. Për këtë arsye, Eurovisioni është shndërruar në një platformë përçarjeje.”
Në njoftim thuhet gjithashtu se ndryshimet e fundit të paralajmëruara nga organizatorët nuk janë të mjaftueshme:
“Ndryshimet e paralajmëruara nuk na japin besim të mjaftueshëm se karakteri i pavarur dhe neutral i Eurovisionit është rikthyer.”
Vendimi i transmetuesit holandez vjen pas një sërë polemikash lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit. Izraeli ishte shumë pranë fitores në vitet 2025 dhe 2026, duke përfunduar në vendin e dytë në të dyja edicionet.
Eurovision Song Contest 2026 u ndoq nga 131 milionë shikues, 35 milionë më pak krahasuar me vitin paraprak. Shikueshmëria ra pasi pesë vende bojkotuan garën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Holanda, Islanda, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia u tërhoqën nga gara. Tri vendet e fundit refuzuan gjithashtu transmetimin e programit.
Në fillim të këtij muaji, organizatorët njoftuan një rregull të ri, sipas të cilit vendet e përfshira në një konflikt të armatosur nuk mund të jenë nikoqire të Eurovisionit.
Edicioni i ardhshëm i Eurovision Song Contest do të mbahet në qytetin Burgas, në bregdetin e Detit të Zi në Bullgari. Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja e madhe më 15 maj 2027.
Bullgaria do të jetë nikoqire e Eurovisionit për herë të parë, pasi këngëtarja bullgare Darina Yotova, e njohur me emrin artistik DARA, fitoi edicionin e këtij viti në Vjenë me këngën “Bangaranga”. /albinfo.ch/
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje 46-vjeçari u shpall fajtor për vjedhje me thyerje në nëntë shtëpi në Vorarlberg, ndërsa autoritetet zvicerane... -
Bilibani: Rrëfimet mbi identitetin i “përkthejmë” në gjuhën filmike -
Arbër Gashi dhe Aida Birinxhiku sërish pjesë e Parlamentit Suedez -
Protestë në Gjenevë në mbështetje të mobilizimeve në Shqipëri -
Expo Arbëria në Spezzano Albanese: Tri ditë feste për komunitetin arbëresh
Jeta në Austri
-
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje 46-vjeçari u shpall fajtor për vjedhje me thyerje në nëntë shtëpi në Vorarlberg, ndërsa autoritetet zvicerane... -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së









