Feja

Imami Alimi: xhihadi luftë terorristësh, myslimani nuk vret njerëz të pafajshëm

Intervistë me imamin e xhamisë në Wil, Bekim Alimi, i cili njëherit është nënkryetar në Unionin e Imamëve shqiptarë në Zvicër dhe në „Dachverband Islamischer Gemeinschaft Organisation“, të njohur si Digo. Në gjuhën shqipe Digo përkthehet si Çati e Shoqatave të Organizuara Islame.

Për albinfo.ch Alimi flet për rrezikun e xhihadit islam që u kanoshet të rinjëve shqiptarë në Zvicër duke rënë pre e organizimeve sekrete dhe shumë të besueshme brenda një rrjeti për të cilin nuk kanë njohuri as besimtarët që freukontojnë xhamitë në Zvicër.

Rasti më i freskët është kampioni i Tai-boksit, Valdet Gashi, i cili ka lënë gruan me dy fëmijët e vegjël, nënë e babë me lot në sy dhe i është bashkëngjitur organizatës më të tmerrshme terroriste, IS, e cila lufton brenda teritorrit sirian për krijimin e shtetit Islamik sipas sheriatit, raporton albinfo.ch.

Albinfo.ch: Ka dyshime se në Zvicër ekziston një rrjet që merret me organizimin e të rinjve për t`i dërguar në luftën e Xhihadit, në Siri. A jeni ju si Union, si Digo në dijeni të rasteve të këtilla, siç ishte rasti i fundit me kampionin e taiboksit, Valdet Gashin?

Bekim Alimi: Informata të dorës së parë në lidhje me këso organizimesh, ne natyrisht nuk kemi, pasi ju e dini shumë mirë se këto organizime bëhen në formë të fshehtë, personale dhe tepër të besueshme. Ata kanë vetëm njerëz  të besueshëm dhe kur ne kuptojmë për raste të këtilla, atëherë këto raste nuk janë më në Zvicër, por jashtë saj.

Ju e dini mirë se raste të cilat i përmendet nuk kanë të bëjnë me Digo- (Dachverband ose organizata çati e shoqatave islamike). Kjo ka ndodhur në një kanton tjetër. Mirëpo kudo që të jetë rinia jonë, ne mbajmë përgjegjësi në qoftë se ata rritën dhe orientohen në rrugë të gabueshme. Pa marrë parasysh a janë ata në Gjenevë apo në St. Gallen e kështu me radhë. Ata janë djemtë tanë dhe vajzat tona, për të cilët ne duhet të mbajmë përgjegjësi.

Nëpër xhamitë të cilat janë të njohura në Zvicër,  ku fatmirësisht jam edhe unë imam e jam afër me njerëz, këso lloj tipash nuk qarkullojnë. Por, edhe nëse ata bien në sy, janë vetë njerëzit që do të reagojnë ndaj tyre. Prandaj unë mendoj se ata kanë vende të tjera ku qarkullojnë dhe se nuk kanë të bëjnë me xhamitë të cilat njihen në Zvicër.

Albinfo.ch: Ju si Union apo Digo a merreni me këtë problematikë, a e trajtoni këtë temë dhe nëse po, çfarë masash preventive ndërmerrni për  parandalimin e këtyre rasteve?

Bekim Alimi: Kjo temë zhvillohet në dy rrafshe, rrafshi i parë është segmenti intern ndërmjet imamëve apo xhamive në të cilën natyrisht se është një temë për të cilën ne shpesh kemi biseduar ndërmjet veti, mes imamëve, qoftë në Zvicrën lindore apo qoftë edhe në Unionin e Imameve, është trajtuar në formë të hollësishme, për shkak se humbës të parë në këtë raste janë drejtpërsëdrejti xhamitë tona e prindërit tanë, dhe ne vetë për shkak se është një temë serioze e cila neve na preokupon jashtë mase.

Kurse në rrafshin e dytë janë problemet iks  apo ypsilon që na paraqiten neve prej anës së prindërve. Ka për shembull prindër që janë të preokupuar me një rast apo frikohen nga një rast i tillë, kështu që paraqiten te imami i tyre, në Digo apo njete sia e saj. Por, deri më tani unë nuk kam informata që janë paraqitur në këtë formë, përveç se ndoshta me të ndjerin Dr. Hishamin në qoftë se ai ka pasur informata të drejpërdrejta.

Albinfo.ch: Por, masa për parandalimin e këtyre rasteve nuk keni apo si është puna?

Bekim Alimi: Unë prapë do të them, më së shumti masa për parandalim ndërmarrin imamët, gjegjësisht Unioni i Imamëve Shqiptarë se sa nëpërmes strukturave hierarkike të cilat mund ti quajmë si „Dachverband“, për shkak se edhe „Dachverband“-i duhet të reagojë përmes imamëve, ngase këta janë në afërsi me njerëzit.

Unë vetë veproj si imam dhe bashkëpunoj me imamë të tjerë. Sidomos në rastet e rënda, në këto të prezantimit të shembujve të njëpasnjëshëm kemi organizuar ditëve te premte predikime në këtë drejtim dhe jemi fokusuar vetëm në këtë drejtim. Kjo është një prej masave preventive të cilët xhematit fuqimisht i është treguar se si qëndron problemi,  çka është islami i pastër dhe islami i mesëm në këtë aspekt. Prej masave preventive janë në fakt, pikërisht shkrimet, të cilat po ashtu besoj mund t`i lexoni në webfaqen e imamëve në Zvicër, <Unë jam musliman shqiptar në Zvicër>, ku do të shihni se si ky Union, jo vetëm se i ka gjykuar këto raste por edhe konkretisht ka punuar në seminare të ndryshme me imamët tanë intern edhe ngjashëm. Si Dachverband në këtë drejtim brenda këtyre pak muajve që jam unë aty, ne nuk kemi ende diçka konkrete.

Albinfo.ch:Si imam autoritativ që jeni në këtë regjion, cili do të ishte apeli juaj për të rinjtë që pëlqejnë xhihadin apo i bashkangjitën xhihadit?

Bekim Alimi: Apeli im pikë së pari është se luftën të cilën ata e zhvillojnë atje nuk  kanë të drejtë ta titullojnë xhihad, ngase nuk di çfarë xhihadi është nëse myslimani vret myslimanë, apo në qoftë se myslimani vret njerëz të pafajshëm. Nuk di për çfarë xhihadi flitet!?

Apeli im pikë së pari është të mos bëhen pre e këtyre lloj dezinformatave, e këtyre lloj propagandave negative.  Pika e dytë, populli i Sirisë të cilit ne ia dëshirojmë paqen sa më shpejt dhe lutemi për ta, bile në këtë muaj të Ramazanit, dhashte Zoti që ata sa më shpejt të lirohen dhe të jenë një popull i lirë sikur gjithë popujt e tjerë të botës. Unë nuk besoj që ka mbetu populli i Sirisë për 50 djem tanë të rinj të cilët do të shkojnë atje dhe do ta çlirojnë Sirinë. Populli i Sirisë me miliona është refugjat në vise të ndryshme. Pra ju kisha lutur pikë së pari për kompetencë, për sqarim të islamit real, dhe jo euforik dhe në njejtën kohë të shohim se çka mund të ndikojë prezenca e tij apo edhe e 50 të tjerëve në milionat e popullatës që janë atje.

Albinfo.ch: Ju i dënoni vrasjet që po ndodhin në Siri. I konsideroni këto akte të terorriste?

Bekim Alimi: Natyrisht se ne i konsiderojmë ato si  terrorizëm dhe natyrisht se i konsiderojme ato si akt joislam, jolegjitim.  Kur nxirren njerëz jashtë qyteteve nëpër shkretëtira, vriten dhe masakrohen në këtë formë, mendoni se kjo është islam apo këta mendojnë se do ta prezantojnë islamin.  Assesi kjo nuk është e saktë dhe ne nuk jemi dakord me atë që bëjnë.

Albinfo.ch: A mund të themi se me apo pa vetëdije, këta djem të rinj shqiptarë që po i bashkangjiten xhihadit atje, faktikisht po bëhen pjesë të një organizate terroriste?

Bekim Alimi: Unë nuk mund të flas në emër të tyre se çka mund të bëhen ata, e çka jo. Ne mund të flasim për një grup terroristësh kur t’ua shohim veprat e tyre. Deri më tani çfarë kemi parë nga veprat e këtij grupi  të cilët gjenden në Siri, kjo nuk rezulton me islam, kjo nuk propagon me islam. Kjo është gjithçka që është kundër islamit,  e këta janë me siguri terroristë të nivelit më të lartë. Kurse këta djem të rinj shqiptarë me vetëdije apo pa te, janë çështje të cilat neve derisa nuk kemi parë vepra prej tyre nuk mund ti klasifikojmë ata në ndonjë pozitë të keqe, Zot na ruaj. Por, ne do ti kishim thirrë ata për vetëdije, do ti kishim thirrë ata që ta sqarojnë punën e tyre, përpara se të marrin një hap të gabueshëm ngase islami nuk është të vrasësh njerëz e në veçanti të vrasësh musliman.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI