Kosova
A do të ketë mjaftueshëm energji elektrike në Kosovë
Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.7 milionë banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja
Pas dy vjetësh të paqëndrueshme me rrymë, me rritje çmimesh e me thirrje për kursim, kompania kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike, KEDS, garanton për këtë dimër furnizim stabil.
Për këtë qëllim, KEDS-i ka bërë investime në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, raporton Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.
“Investimet e realizuara garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lulzim Krasniqi, zëdhënës në këtë kompani.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia – një ndër eksportueset më të mëdha të gazit natyror – ka ndikuar në furnizimin me energji gjetiu në botë, sidomos në vitin që ka nisur, më 2022. Për rrjedhojë ka pasur mungesa të rrymës dhe rritje çmimesh.
Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.7 milionë banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.
Cilat janë kapacitetet e Kosovës?
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavatë në orë.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve. Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Korporata Energjetike e Kosovës, e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, tha se aktualisht ka në operim njësitë A-3 dhe A-4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësinë B-2 të Termocentralit Kosova B, me kapacitet prej rreth 500 megavatësh. KEK-u tha se gjatë sezonit dimëror pritet të ketë në operim njësi shtesë, me kapacitet prej rreth 760 deri në 800 megavatë.
“Megjithatë, asnjëherë nuk mund të përjashtohet fakti se njësitë tona gjeneruese janë të vjetruara dhe nuk garantojnë 100 për qind operim të sigurt, që do të thotë se edhe mund të kemi ndonjë ndërprerje të prodhimit të paplanifikuar, por jo më gjatë se 72 orë”, tha KEK-u.
Vitin e kaluar, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), janë importuar mbi 750 mijë megavatë energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavatë.
Çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka qenë 91 euro për megavat, më 9 shtator.
Për krahasim, në gusht të vitit të kaluar ka shkuar deri në rreth 430 euro për megavat, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2021 ka qenë rreth 150 euro. Në KEDS thonë se nevojat për import do të vazhdojnë edhe këtë dimër dhe se çmimet në bursat ndërkombëtare “do të jenë të paparashikueshme”.
“Se a do të ketë rritje ose jo të çmimit të energjisë elektrike, kjo nuk varet nga ne, por nga tregu dhe shumë faktorë të tjerë. Mund të themi që pasiguritë rreth furnizimit me gaz natyror të Evropës vazhdojnë…”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Krasniqi.
Çmimet…
Vitin e kaluar, çmimi mestar i rrymës për kategorinë e konsumatorëve familjarë ka shkuar në 6.14 euro për kilovat – nga 5.60 euro sa ka qenë në vitin 2021.
Ndërsa, për konsumatorët jo familjarë, çmimi mesatar i rrymës në vitin 2021 ka qenë 8.39 euro, për të shkuar në 9.27 euro në vitin 2022.
Në prill të këtij viti, çmimi është rritur sërish – për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Krasniqi thotë se kursimi i rrymës dhe shfrytëzimi racional i saj do të kërkohen edhe gjatë këtij dimri.
Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e sektorit të energjisë kanë kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që të kursejnë.
Për qëllim kursimi, në gusht janë subvencionuar mbi 2.000 familje për izolimin e shtëpive. Projekti prej 10 milionë eurosh është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë.
Më 5 shtator, Qeveria e Kosovës ka lansuar, po ashtu, Programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, të cilët do të subvencionohen për pagesën e faturave të energjisë elektrike.
Në këtë kategori janë përfshirë: personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm. “Nëse një familje ka katër anëtarë dhe i ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare, mund të kualifikohet për programin”, ka thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Programi në fjalë do të jetë njëvjeçar.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Revista e manifestimit “Kurora e Lirisë”, një publikim që sjell standard të ri Kjo revistë përfaqëson një ndër botimet e para të këtij niveli, e cila sjell një format... -
Two.jobs sjell inovacion në Social Media Recruiting në HR Festival Europe 2026 -
Në Bernë promovohet libri “Klithma” i autores Alketa Gashi-Fazliu -
Nga familja në shërbim të qytetit: çifti shqiptar zgjidhet në Këshillin Komunal të Yverdon-les-Bains -
Nesër në Bernë: Ejani në manifestimin “Kurora e Lirisë”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027 Afati i aplikimit për prindërit shqiptarë në shkollat publike austriake është i hapur deri më 31... -
Vjenë: Ndryshim i rregullave të parkingut, ministria del me njoftim -
Ortopedi shqiptar Dr.Leonard Ndue, në shërbim të mijëra pacientëve në Vjenë -
Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025 -
Austri
Nuk u vlerësua nga juria, por kënga e Sidrit Vokshit bëhet hit ne Austri













