Lajme
Kriza e shëndetit mendor pas lindjes: ekspertët kërkojnë më shumë vëmendje
Ekspertët bëjnë thirrje për më shumë vigjilencë ndaj depresionit pas lindjes, ndërsa Komisioni Federal Zviceran për Çështjet Familjare vlerëson se gratë që përballen me këtë gjendje marrin ende mbështetje të pamjaftueshme.
Trishtimi i vazhdueshëm, lodhja, ndjenja e fajit, bindja se nuk je në gjendje t’ia dalësh apo mungesa e vullnetit janë disa nga shenjat e depresionit pas lindjes. Megjithatë, në shumë raste, këto simptoma mund të jetë e vështirë të dallohen nga ndryshimet emocionale që shoqërojnë lindjen e një fëmije.
Sipas Camille Bérard, mami dhe psikologe, ndër faktorët kryesorë të rrezikut janë historia e mëparshme e depresionit, izolimi social, si dhe një lindje e vështirë ose traumatike.
Ditët e para pas lindjes, një periudhë veçanërisht e ndjeshme
Ditët e para pas lindjes shoqërohen shpesh me një ndjeshmëri të lartë emocionale. Kjo gjendje, në vetvete, nuk konsiderohet patologjike. Ajo është pjesë e procesit të përshtatjes dhe krijimit të lidhjes me foshnjën, pasi prindi bëhet veçanërisht i ndjeshëm ndaj sinjaleve dhe nevojave të të porsalindurit.
Deri në 80 për qind e grave përjetojnë gjatë kësaj periudhe të ashtuquajturin “baby blues”, i cili lidhet, ndër të tjera, me ndryshimet hormonale, lodhjen dhe përshtatjen me jetën e re pas lindjes.
Megjithatë, kjo gjendje e përkohshme nuk duhet të pengojë nënën të përballojë jetën e përditshme.
Dallimi mes “baby blues” dhe depresionit pas lindjes lidhet kryesisht me kohëzgjatjen dhe intensitetin e simptomave. Bérard thekson se nëse trishtimi, lodhja, ndjenja e fajit apo pamundësia për t’ia dalë vazhdojnë për më shumë se dy javë, dominojnë jetën e përditshme dhe ndikojnë në marrëdhëniet me të tjerët apo në dëshirën për t’u kujdesur për fëmijën, atëherë nevojitet vëmendje profesionale.
Depresioni mund të identifikohet përmes një pyetësori
Në një dokument të publikuar së fundmi, Komisioni Federal Zviceran për Çështjet Familjare rekomandon depistimin sistematik dhe të hershëm të depresionit pas lindjes.
Ky proces mund të nisë që gjatë shtatzënisë, për shembull përmes identifikimit të problemeve të mëparshme të shëndetit mendor ose faktorëve të tjerë të rrezikut, dhe të vazhdojë edhe pas lindjes.
Ekzistojnë mjete të posaçme për këtë qëllim, ndër to edhe Edinburgh Postnatal Depression Scale (EPDS), një pyetësor me 10 pyetje që u mundëson profesionistëve shëndetësorë të vlerësojnë rrezikun e depresionit dhe, nëse është e nevojshme, ta referojnë pacientin për ndihmë profesionale.
Megjithatë, në praktikë, ky depistim nuk kryhet në mënyrë të njëtrajtshme kudo.
Vizitat mjekësore shpesh përqendrohen te shëndeti i foshnjës, ushqyerja me gji dhe kontrollet mjekësore, ndonjëherë duke lënë në plan të dytë një pyetje të thjeshtë: “Si ndiheni ju?”, vëren mamia Camille Bérard.
Roli i rëndësishëm i familjes dhe rrethit shoqëror
Mbështetja sociale konsiderohet një nga faktorët më të rëndësishëm mbrojtës.
Një marrëdhënie e qëndrueshme me partnerin ose partneren, prania e familjarëve dhe mbështetja nga profesionistë si mamitë, pediatrit, mjekët apo punonjësit socialë mund t’i ndihmojnë prindërit e rinj ta përballojnë më lehtë këtë periudhë.
Bérard rekomandon që, që para se të shfaqen vështirësitë, familja dhe rrethi i prindit të identifikojnë personat dhe profesionistët te të cilët mund të drejtohen në rast nevoje.
Qëllimi është që prindi të ndihet i mbështetur dhe të ketë hapësira të sigurta ku mund të shprehë frikërat, shqetësimet dhe pyetjet e tij.
E-Diaspora
-
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në... -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions












