Kosova

Tetë iPhone 18 pa deklarim doganor, ndalohen në Aeroportin e Prishtinës

Telefonat, në vlerë prej rreth 15 mijë eurosh, u gjetën gjatë kontrollit të bagazhit të një udhëtari

Dogana e Kosovës ka ndaluar tetë telefona të mençur të markës iPhone 18, me vlerë të përgjithshme prej rreth 15 mijë eurosh, të cilët nuk ishin deklaruar nga një udhëtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti është evidentuar më 18 shtator, gjatë kontrolleve rutinore dhe kontrolleve të bazuara në analizën e rrezikut ndaj udhëtarëve që hynin në territorin e Kosovës.

Udhëtari është përzgjedhur për kontroll, ndërsa pas kalimit të bagazhit nëpër skaner dhe dyshimeve të zyrtarit doganor, është kryer edhe kontrolli fizik i tij.

Gjatë kontrollit janë gjetur tetë telefona të mençur iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e tyre e përgjithshme, sipas Doganës, arrin në rreth 15 mijë euro.

Mallrat janë ndaluar nga autoritetet doganore, ndërsa rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave përkatëse, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve që mund të rrjedhin nga rasti.

Sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur tejkalojnë kufijtë e lejuar ose kur kanë karakter tregtar.

Dogana sqaron se lirimi për bagazhin personal vlen vetëm për importe që nuk kanë natyrë tregtare. Në përcaktimin e karakterit jo-tregtar merren parasysh, ndër të tjera, natyra dhe sasia e mallrave./Albinfo.ch