Kosova

Kurti: Identifikohen tri viktima, familjet janë njoftuar pas analizave të ADN-së

Kosovë - Varreza masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, konfirmohet identiteti i tri viktimave - i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Mbetjet mortore ishin zhvarrosur në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ndërsa identifikimi është bërë përmes analizave të ADN-së, përcjell albinfo.ch.

Tri viktima janë identifikuar përmes analizave të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, sipas të cilit Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Rezultatet kanë konfirmuar se viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, pjesëtarët e të cilit ishin zhdukur më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut.

Në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë janë zhvarrosur më herët mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Mostrat e tyre janë dërguar për analiza të ADN-së, ndërsa rezultatet e tjera pritet të arrijnë në ditët dhe javët në vijim.

Sipas institucioneve të Kosovës, “Grupi i Intelektualëve” përbëhej nga 23 shqiptarë, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës dhe Skenderajt.

Kurti ka kërkuar sërish hapjen e arkivave në Serbi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke përmendur veçanërisht dokumentacionin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave./Albinfo.ch