Lajme
Burkhalter: Zvicra mbështet vizionin e Kosovës
Presidenti i Zvicrës, Burkhalter tha se bizneset zvicerane duan të bëjnë investime afatgjata në rajon, por forcimin e rendit dhe ligjit e konsiderojnë si parakusht për këtë
Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Didier Burkhalter, i cili është njëherit shef i Departamentit federal për Punë të Jashtme dhe kryesues i radhës së OSBE-së, tha se Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm dhe Zvicra mbështet vizionin e Kosovës për të ardhmen.
Këto komente presidenti Didier Burkhalter i bërë gjatë një takimi që zhvilloi në Prishtinë me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit dhe presidenti helvetik biseduan për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Presidenti Burkhalter tha se bizneset zvicerane duan të bëjnë investime afatgjata në rajon dhe e konsiderojnë forcimin e rendit dhe ligjit si parakusht për një hap të tillë.
Në kuadër të kryesimit të radhës të OSBE-së, presidenti Burkhalter theksoi se Zvicra do të bëjë përpjekje për të integruar Kosovën në iniciativat rajonale. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e OSBE-së që të lehtësojë procesin e zgjedhjeve të ardhshme në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Zvicrës në strehimin e shumë qytetarëve të Kosovës në këtë vend gjatë viteve të 90-ta, vendosjen e paqes dhe stabilitetit përmes kontingjentit zviceran në forcën paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ajo tha se ky është një vit i rëndësishëm zgjedhor në Kosovë, dhe se spektri politik i Kosovës dhe institucionet e vendit janë të përkushtuar, ashtu si në zgjedhjet e fundit lokale, që të sigurojnë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, që do të jetë gjithashtu një test i pjekurisë tonë demokratike dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka nevojë urgjente të adresojë zhvillimin ekonomik dhe të tërheqë investimet e huaja, të cilat do të ndihmonin në rivitalizimin ekonomik të vendit.
“Duke pasur parasysh afërsinë e bizneseve zvicerane me tregun tonë, por edhe diasporën tonë që jeton në Zvicër, kërkojmë identifikimin e fushave të interesit të përbashkët për të dinamizuar këto lidhje dhe për të krijuar mundësi të mira për investime”, deklaroi Jahjaga.
Presidentja kosovare po ashtu, theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është në një moment vendimtar, veçanërisht me hapjen e kapitullit të ri për paqe dhe pajtim që u hap me dialogun Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, si kusht kryesor për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Ajo kërkoi që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen në plotëni.
Ndryshe, presidenti i Zvicrës dhe kryesuesi i radhës i OSBE-së, Didier Burkhalter është në një vizitë në shtetet e Ballkanit. Ajo dje vizitoi Beogradin dhe Tiranën ndërsa sot po qëndron në Prishtinë.
“Pajtimi dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor janë ndër prioritetet e kryesimit të OSBE-së nga Zvicra, që mbështetet në angazhimin e kamotshëm të këtij vendi në nxitjen e paqes në këtë pjesë të botës”, deklaroi Burkhalter në prag të vizitës raporton Zyra e OSBE-së në Prishtinë.
Me gjashtë misione në terren anembanë rajonit, Ballkani Perëndimor, sipas tij, është një fushë e rëndësishme për operacionet e OSBE-së.
Vizita e kryesuesit të radhës, sipas OSBE-së, ka për qëllim mbështetjen e tri proceseve të vazhdueshme që Zvicra i ka identifikuar si të rëndësishme për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Këto janë normalizimi i marrëdhënieve, në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes të Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar, forcimi i përpjekjeve të bashkëpunimit rajonal, dhe inkurajimi i pajtimit rajonal në veçanti kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur”, është thënë në prag të vizitës.
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë











