Lajme

Fondi për shërimin e fëmijëve nga kanceri, ende i paaktivizuar

Në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës është vendosur për krijimin e fondit prej 5.5 milionë eurosh që do t'u dedikohet fëmijëve të sëmurë me kancer

Sipas ekspertëve mjekësorë në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë të prekur me sëmundje të kancerit, derisa në vitin 2013 janë diagnostikuar 48 raste të reja. Kjo tregon për një trend rritjeje.

Ditë më parë, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës është vendosur për krijimin e fondit prej 5.5 milionë eurosh që do t’u dedikohet fëmijëve të  sëmurë me kancer.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë për Radion Evropa e Lirë se janë duke pritur që këto mjete të alokohen në Ministrinë e Shëndetësisë nga Qeveria e Kosovës.
 
Faik Hoti, zyrtar për informim në këtë ministri ka bërë të ditur se ky fond do të ketë mandat të caktuar.
 
“Janë duke u kryer përgatitjet për transferimin e fondit prej 5.5 milionë eurosh të dedikuara për sëmundjen e leukemisë në kodet buxhetore të MSH. Një pjesë e tyre do t’i dedikohet rasteve në nevojë, derisa pjesa tjetër do të dedikohet për ngritjen e kapaciteteve në repartin e hemato – onkologjisë si dhe nevojat tjera që i përcaktojnë profesionistët shëndetësor, që janë afër me këtë problematikë shëndetësore. Ky fond e ka një mandat të  caktuar dhe u dedikohet rasteve që janë me leukemi”, u shpreh Hoti.
 
Sipas Bardhyl Abrashit, pediatër në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare, në këtë klinikë trajtohen gjitha format e kancerit te fëmijët. Ai thotë se gjysma e rasteve të zbuluara me kancer, janë leukemi akute. Sipas tij kjo sëmundje kërkon kohë për trajtim deri në  dy vjet.
 
Për t’i ndihmuar fëmijët, të cilët vuajnë nga leukemia akute, Ilir Gorani, udhëheqës i organizatës humanitare “Ndihmë fëmijëve me kancer”, ndër vite ka bërë të pamundurën që përmes donacioneve, të sigurojë barna të nevojshme.
 
“Ajo çka është arritur është se mjekët tanë po e trajtojnë sëmundjen. Kanë pasur probleme me medikamente. Por, organizata ‘Care for Kosovo Kids’, nga prilli i vitit të kaluar, u ka blerë barna gjithë fëmijëve të sëmurë me leukemi, që nuk kanë mundësi t’i blejnë vetë barnat”, shpjegoi Gorani.
 
Edhe familjarët e fëmijëve që vuajnë nga kanceri, flasin për Radion Evropa e Lirë për vështirësitë që janë ballafaquar për trajtimin e fëmijëve.
 
Ata thonë se u është dashur të gjejnë alternativa të ndryshme për të kërkuar të holla, për shërim jashtë vendit, meqë edhe pse disa lloje të kancerit trajtohen në vend, disa kërkojnë trajtim në Evropë e më gjerë.
 
Andaj miratimin e fondit prej 5.5 milionë eurosh e kanë mirëpritur.
 
“Shërimi i djalit kushton rreth 200 mijë euro, e Ministria e Shëndetësisë na ka ndihmuar me 30 mijë euro, aq sa ka pasur mundësi. Kemi kërkuar ndihmë sepse kanë pasur nevojë të shërohen jashtë vendit dhe kemi dalë në shesh vullnetarisht. Shumë ka vullnet të qytetarëve, edhe pse ka shumë  raste të fëmijëve me sëmundje të ndryshme që duhet të trajtohen jashtë vendit”, tregon Xhevrie Mehmeti, familjare i fëmijës i cili vuan nga leukemia akute.
 
Fondi për shërimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike që ka në dispozicion Ministria e Shëndetësisë  është 3.8 milionë euro.
 
Faik Hoti shtoi se këto mjete do të mund të shfrytëzohen për sëmundje të tjera, e që sipas tij kërkesat janë të mëdha.
 
“Ministria e Shëndetësisë ka 9 kërkesa që janë duke pritur për ekzekutim, por një fond prej 5.5 milionë do ta lehtësojë shumë programin e trajtimit jashtë vendit, sepse rastet të cilat në të kaluarën mjetet që janë përdor për leukeminë do të mund të përdoren për sëmundje tjera ndërkaq prej këtij fondi do të trajtohen ekskluzivisht këto raste”, tha Hoti për R e L.
 
Në Institutin e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, institut ky që trajton pacientët e rritur që vuajnë nga kanceri, brenda ditës ndihmë mjekësore kërkojnë 80 deri në 180 pacientë.