Shkurt.ch

AI me fushatë ironizuese kundër ligjit të ri të azilit

Ekspertët thonë se Amnesty International me këtë klip “po e pret degën mbi të cilën rri. Pamje të tilla përhapin në mënyrë të pavetëdijshme edhe më shumë frikë nga mbipopullimi me të huaj”.

Një barkë e stërmbushur me refugjatë lundron në Liqenin e Cyrihut ndërsa autobusë të mbingarkuar sikur në Indi, qarkullojnë nëpër rrugët e Zvicrës. Pamje të tilla që bien në sy janë pjesë e fushatës së Amnesty International (AI) për të kundërshtuar ashpërsimin e ligjit të azilit, për të cilin do të votohet më 9 qershor. Pas pamjeve tronditëse të videoklipit, vjen porosia, sipas të cilës, mri i azilkërkuesve në Zvicër përbën vetëm 0.5 për qind të gjithë popullatës zvicerane.

Nga ana tjetër, SVP/UDC, partia që e ka iniciuar ashpërsimin e ligjit mbi azilin operon me shifra në lidhje me kriminalitetin e azilkërkuesve. Sipas zëvendësekretares së përgjithshme të kësaj partie, Silvia Bär, 13 për qind e veprave penale në Zvicër kryhen nga azilkërkuesit. Amnesty International, thotë ajo, “e hesht këtë me qëllim në klipin e saj”.

Ndërsa zëdhënësja e Amnesty International Alexandra Karle thotë se me këtë klip organizata e saj ka dashur që “ta vejë në lojë panikun që e përhapin politikanët populistë”.

Por sipas ekspertit të komunikimit, Marcus Knill, AI me këtë klip “po e pret degën mbi të cilën rri. Pamje të tilla përhapin në mënyrë të pavetëdijshme edhe më shumë frikë nga mbipopullimi me të huaj”. Studimet kanë treguar se fushatat ironizuese shpesh nuk janë kuptuar ose janë kuptuar gabimisht. Shefat në SVP do të mbajnë barkun duke qeshur kur ta shikojnë këtë klip”, thotë Knill për 20minuten.ch.

Ntyrisht, krejt ndryshe mendon Karle nga AI. Ajo “është e sigurt se pamjet e mbitheksuara do të kuptohen nga shikuesit. Veç kësaj, realizimi me humor i pamjeve të tilla  nxit vëmendje më të madhe, gjë që do të ndihmojë shpërndarjen përmes facebook-ut dhe tweeter-it”.