Lajme

Në Zvicër nis fushata kundër ndalimit të fishekzjarreve

Një aleancë ndërpartiake në Zvicër ka nisur fushatën kundër nismës që synon ndalimin në nivel kombëtar të shitjes dhe përdorimit të fishekzjarreve që prodhojnë zhurmë.

Komiteti kundërshtues, i mbështetur nga përfaqësues të SVP-së, FDP-së, Partisë së Qendrës dhe sektorit të biznesit, argumenton se një ndalim i përgjithshëm do të ishte i tepruar dhe do të ndikonte në traditat, bizneset dhe festimet lokale.

Kundërshtarët thonë se kantonet dhe komunat tashmë kanë kompetenca për të kufizuar përdorimin e fishekzjarreve, për të kërkuar leje ose për të vendosur ndalime në raste rreziku, veçanërisht gjatë periudhave të thatësirës.

Sipas tyre, nëntë nga dhjetë qytetet më të mëdha të Zvicrës tashmë kanë kufizime për fishekzjarret, ndaj nuk nevojitet një ndalim i përgjithshëm federal.

Nisma synon ndalimin e shitjes dhe përdorimit të të gjitha fishekzjarreve që shkaktojnë zhurmë, ndërsa mbështetësit e saj argumentojnë se ato krijojnë pasoja për njerëzit, kafshët dhe mjedisin.

Zvicra do të votojë për këtë nismë në referendumin federal më 29 nëntor 2026. Komiteti kundërshtues, për shkak të burimeve të kufizuara financiare, planifikon ta zhvillojë kryesisht fushatën në internet.