Lajme

Viti shkollor nis me probleme të njëjta

Në disa shkolla edhe sivjet klasat janë të mbingarkuara. Edhe pse është parashikuar që një klasë të ketë rreth 32 nxënës, në disa shkolla të Prishtinës numri i nxënësve kalon numrin 60.

Viti i ri shkollor nuk i ka përmbushur të gjitha pritjet e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme të Kosovës. Në disa shkolla edhe sivjet, klasat janë të mbingarkuara, duke kaluar parametrat e lejuar gati në 100 për qind. Edhe pse është parashikuar që një klasë të ketë rreth 32 nxënës, në disa shkolla të Prishtinës numri i nxënësve kalon numrin 60.

Shemsedin Gashi është zëvendësdrejtor në Gjimnazin “Sami Frashri” në Prishtinë. Ai për REL thotë se krahasuar me vitet e mëhershme kur numri i nxënësve në një paralele ka qenë rreth 60, vitin e kaluar ky numër është zvogëluar në 45 nxënës. “Sipas standardeve tona, në konkurs kur hapet, kërkohet 32 nxënës për paralele”, ka thënë ai.

Blerta është nxënëse në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ajo tregon se në klasë janë 47 nxënës. Ora mësimore ka 40 minuta, thotë Blerta, për të shtuar se as një minutë hapësirë nuk i takon një nxënësi. “Jemi 47 nxënës në një klasë. Është një numër shumë i madh, ndikon shumë në cilësinë e arsimit”, tregon Blerta. Madje zyrtarë të Qendrës për Arsim të Kosovës, thonë se sipas standardeve, numri i nxënësve në klasë duhet të jetë 25.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shprehet se në krahasim me vitin 2008, situata është më mirë, por jo në nivelin e dëshiruar. Sipas tij, gjatë këtij viti shkollor kanë kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit, që në disa paralele të lejohen deri në 37 nxënës në një klasë, por jo më shumë.

Ndërkaq, sot me rastin e fillimit të viti shkollor, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së punimeve të Konferencës së parë ndërkombëtare euro-aziatike të shkencave matematike dhe zbatimeve. Qëllimi i konferencës është që t’i kontribuojë zhvillimit të shkencave të matematikës dhe zbatimit të tyre kudo në botë.

“Kjo konferencë është shumë domethënëse edhe për vet Planin Strategjik për Arsimin, ku është paraparë ngritja e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë”, tha ministri Buja dhe theksoi se është shumë me rëndësi që kjo konferencë, duke trajtuar 244 tema, t’i sjellë të mira shkencës së matematikës në Kosovë e kudo në botë.

Po ashtu me rastin e fillimit të vitit shkollor, sot nxënësit dhe mësimdhënësit i ka uruar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Sot po nis viti i ri shkollor. Pas pushimeve ju, të dashur nxënës, riktheheni në bankat shkollore për të filluar edhe një vit të ri, të etur për të nxënë dituri dhe përvoja të reja. Këtë vit mbi 36 mijë fëmijë nisin mësimin në klasë të parë, nisin rrugëtimin në botën e dijes dhe unë uroj, veçanërisht ata, e ju dëshiroj shumë sukses”, thuhet në urim.

Shkolla shqipe, sipas saj, ka njohur vite të rënda të punës së saj në të kaluarën. “Ishin mësimdhënësit ata që i dhanë më së shumti asaj, e mbajtën gjallë në kohë të rëndë, e rimëkëmbën dhe e zhvilluan në kohë lirie. Ndaj, ata meritojnë falënderimet dhe urimet më të mira për punën e palodhshme me brezat e rinj, të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në urimin e presidentes.