Lajme
Prishtina – kantier ndërtimi
Prishtina sikur qëllimshëm u paraqitet mërgimtarëve nga ana e saj më e keqe ose më e zellshme: në të gjitha anët e qoshet punohet sa më s`ka
Kamionët lëvrijnë në sokaqe të ngushta dhe bllokojnë hyrje-daljet, ekskavatorët dhe përzierëset e betonit gjëmojnë, shpuesit me kompresion rrahin, zhavorri shushuron gjatë shkarkimit të ngarkesës në gropa themelesh.
Një nga kantieret më të mëdha të ndërtimit që prej një viti është hapësira që shtrihet nga ndërtesa e parlamentit afër monumentit të Skënderbeut dhe Teatrit Kombëtar deri te Hotel Diamond.
© albinfo.ch. E.Kaestli
Heroi shqiptar mbi kalë, i mbështjellë më një mushama të zezë e muaj me radhë i syrgjynosur në një qoshe, u soll sërish në bazament mu në mes të një shkretëtire guralecësh, nëpërmjet së cilës këmbësorët kërkojnë rrugën midis kamionësh e makinash ndërtimi. Për t`u admiruar janë gratë me take të larta e të holla, të cilat ia dalin – pa e thyer këmbën a qafën – ta kalojnë këtë vend-ndërtimi, të cilin mund ta tejkalosh vetëm shumë tërthorazi.
Duke iu bindur e nënshtruar këtij halli, moda e këpucëve të rrafshta është në mësymje. Edhe pse sheshet para teatrit e parlamentit nuk janë mbaruar dhe ende janë të pakalueshme, në gusht, sipas planit ndërtimor, i cili përskaj standardeve zvicrane të ndërtimit as që do të ishte i parafytyrueshëm, u shqye gjerësisht edhe ana tjetër e zonës së preferuar të këmbësorëve “Nëna Tereze”.
©albinfo.ch – E.Kaestli
Kafeja e qetë në oborrin e Hotel Grandit është shembur: kush, vallë, do të dëshironte të ulej në kafene me gjithë atë zhurmë ndërtimi? Disa të palëkundur shfrytëzojnë tavolinat e tarracës së restorantit të hotelit, i cili – me që ra fjala – nuk dihet edhe sa kohë do të qëndrojë. Pronari i ri i hotelit që dikur ishte pronë shtetëror nuk ka plotësuar marrëveshjen e blerjes: investimet e negociuara i ka realizuar vetëm në një masë shumë të vogël. Për këtë arsye, Agjencia e Privatizimit e riktheu pronësinë e Hotel Grandit të flashkët, për të përgatitur një ritenderim.
Dy pllakata u tregojnë kalimtarëve sa të bukura do të jenë sheshet përreth monumenteve të Skëndërbeut dhe Zahir Pajazitit, atëherë kur punimet do të jenë kryer. Vetëm mund të shpresojmë që sheshet nuk do të jenë gri e me ca njollëza të gjelbërta, ashtu siç duken në afishet e ndërtimit. Makinat e ndërtimit po gjëmojnë edhe tash përderisa unë po shkruaj këtë tekst në shtëpi në pjesën e vjetër të qytetit në Prishtinë. Kur u ktheva nga pushimet në Zvicër, për tmerrin tim, përballë shtëpisë sonë gjeta një gropë ndërtimi. Tani, pra, po groposet edhe ajo pjesë e vogël e rrugicës që deri tani kishte mbetur pa u zënë, druri i thatë është zhdukur.
©albinfo.ch – E.Kaestli
Punëtorët po punojnë admirueshëm shpejt dhe në mënyrë precize në këtë vend të ngushtë. Kur kamioni largon ngarkesën ose sjell zhavor a beton, unë nga ballkoni ynë i vogël thuaja se mundem të kërcej mu në mes të ngarkesës, aq ngushtë është këtu. Shoferi parkon kamionin me precizitet të skajshëm në zgrip të gropës. E mënyra se si bageristi e drejton makinën prej përbindëshi ëshë një mjeshtri e vërtetë. Fascinacioni im për punë të ndërtimit – fundja jam e bija e një inxhinieri të ndërtimtarisë – nuk më ngushllon, për faktin që së shpejti do të kem para hundës mur e dritare, në vend të një hapësire të vogël të hapur e një pjesëz qielli. Por, deri atëherë do të zgjasë edhe pak.
©albinfo.ch – E.Kaestli
Që nga 1 shtatori fillon shkolla; jam kureshtare të di sa i madh do të jetë koncerti i sirenave të veturave, kur prindërit do t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën fillore që gjendet në fund të rrugicës. Kur dorëzohet materiali ndërtimor ose kur ekskavatori gjendet në mes të rrugës, atëherë s`qarkullojnë dot as veturat, e as këmbësorët. Populli shqiptar i Kosovës është në masë të madhe i durueshëm. Në kushte të tilla siç janë këtu në Prishtinë, në Zvicër do të kishte rebelim!
©albinfo.ch – E.Kaestli
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste Një 46-vjeçar nga rrethi Ried im Innkreis është paditur për shkelje të ligjit të ndalimit. Gjatë... -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë











