Lajme

Ministria e Diasporës reagon për tollovinë në kufi

Autoritetet kufitare të Serbisë pa asnjë arsye po zvarritin punën e tyre duke shkaktuar pritje të gjata, me orë të tëra, thotë MeD

Ministria kosovare e Diasporës ka shprehur indinjatë me sjelljet e autoriteteve serbe të cilat pa asnjë arsyeje po zvarritin punën në kufij, duke iu shkaktuar pritje të gjata mërgimtarëve kosovare të cilët po e ndjekin e Serbinë si vend transit për vajtje e ardhje.

Nëpërmjet një kumtese, Ministria e Diasporës thotë se është njoftuar nga Policia e Kosovës se sërish është krijuar tollovi në pikë-kalimin e Medrades, në anën serbe të kufirit, si pasojë e kësaj në këtë pikëkalim rreshtat e automjeteve që hyjnë ose dalin nga territori i Kosovës janë të gjatë.

“Gjatë njoftimeve që na japin bashkatdhetarët tanë që shfrytëzojnë këtë pikëkalim, autoritetet kufitare të Serbisë pa asnjë arsye po zvarritin punën e tyre duke shkaktuar pritje të gjata, me orë të tëra”, thuhet në reagimin e MeD. Kjo e fundit edhe një herë vlerëson se, me këtë sjellje jo demokratike Beogradi zyrtarë po tregon se po vazhdon të vuaj nga komplekset e të kaluarës.

“Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës e dënon një sjellje të këtillë të autoriteteve kufitare të Serbisë dhe u bënë thirrje të gjitha mekanizmave ndërkombëtar që të ndikojnë tek institucionet e Beogradit që qytetarëve t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe të papenguar, që është pjesë e parimeve demokratike evropiane”, thuhet në reagim.