Lajme

Edhe zviceranët festojnë Ditën e Pavarësisë jashtë atdheut

Në një ambient festiv, në kampin fushor të gjermanëve në Prizren, më 1 gusht shërbimi Swisscoy i Zvicrës organizoi manifestimin tradicional për kremtimin e 1 Gushtit – Ditës së Pavarësisë së Konfederatës Zvicerane. Në këtë ceremoni ishin të ftuar përfaqësues të më se 20 shteteve, ushtarët e të cilave janë pjesë e KFOR-it në Kosovë, siç janë: amerikanët, gjermanët, francezët, hungarezët, italianët, sllovenët, austriakët, polakët etj. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës zvicerane në Kosovë si dhe disa bashkëpunëtorë lokalë që shërbejnë në Swisscoy.

Pjesëmarrësve të pranishëm iu drejtuan me nga një fjalë rasti koloneli i Shtabit të Përgjithshëm, Daniel Schlup, komandanti i Korparmatës dhe shefi i ushtrisë, Dominique Andrey, si dhe këshilltari federal, z. Christian Wasserfallen.

© albinfo.ch: Oberst i Gst Daniel Schlup NCC Swisscoy 26

Duke përshëndetur të pranishmit, koloneli Schlup tha: „Ne sot po festojmë 721-vjetorin e Konfederatës. Ne tashmë gjendemi në një vend që ka një histori, por që vetë shteti ekziston tash e pesë vjet. Ne zviceranëve na u dasht më shumë se 720 vjet që të jemi aty ku gjendemi sot. Megjithatë, Zvicra është zhvilluar në vazhdimësi. Ne ishim të shtypur, fetarisht të grindur, të pushtuar nga Napoleoni dhe politikisht të përçarë, por, falë kompromisit, dialogut, komunikimit, respektit të ndërsjellë, përfilljes së minoriteteve, me një demokraci e siguri si dhe stabilitet jemi ata që jemi sot, pra një nga shtetet me cilësinë më të lartë të jetës në botë. Kështu, na takon neve që këtu në Kosovë të japim një kontribut që ky shtet të bëhet i sigurt dhe stabil. Ne, zviceranët këtu në Kosovë gjithmonë kemi qenë dhe jemi të mirëseardhur. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj të gjithë të punësuarit lokalë për bashkëpunimin e tyre; pa ata nuk do t’ia dilnim. Do t’i falënderoja edhe të gjithë të tjerët që na mundësuan që ta kryejmë punën tonë të ngarkuar nga KFOR-i. Në veçanti falënderoj komandantin e KFOR-it për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tij. Falënderoj komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, z. Keller, për mbështetjen e tij të palodhshme. Ju falënderoj të gjithëve për shërbimin shembullor që e keni dhënë në katër muajt e fundit. Jam i bindur se puna jonë për Kosovën do të sjellë siguri dhe stabilitet“.

© albinfo.ch: Korpskomandant D. Andrey, Chef Heer

Në vazhdim, të pranishmëve iu drejtua Komandanti i korparmatës dhe shefi i ushtrisë, Dominique Andrey. „Që nga prilli i vitit 2012, në cilësinë e pjesëtarëve të kontigjentit të 26-të japim angazhim të madh për ushtrinë zvicerane në Kosovë. Për këtë ju jeni larguar nga familja juaj, nga fëmijët dhe nga Zvicra. Të jeni të sigurt se puna juaj do të çmohet këtu, por edhe në Zvicër. Ju falënderoj për këtë… Me shërbimin e armatës Zvicra vlerëson edhe interesat e shtetit, kështu që është në interes të Zvicrës që situata në Ballkan, në Bosnjë, në Serbi e në Kosovë të stabilizohet. Çdo keqësim i gjendjes në rajon do të ndikojë direkt dhe negativisht edhe në Zvicër. Prandaj, është në interes të Zvicrës që bashkësia ndërkombëtare punën e filluar më 1995 ta çojë përpara deri në një përfundim të mirë. Kështu, vetëm atëherë kur rajoni të jetë stabil dhe të pranohen perspektivat shoqërore, politike dhe ekonomike në bashkësinë ndërkombëtare, që atëherë është kryer puna jonë dhe juaja. Nëse ne në Zvicër i kemi shanset që të jetojmë të sigurt dhe të lirë, atëherë këtë duhet t’ua mundësojmë edhe të tjerëve. Sot, në festën kombëtare të Zvicrës puna juaj merr një peshë të veçantë… Njerëzit si ju, të një shteti të vogël, sigurisht që nuk e paraqesin vetëm një të kaluar të madhe, por edhe një të ardhme të madhe. Prandaj ju oficerë, nënoficerë dhe ushtarë që shërbeni jashtë atdheut dhe njëkohësisht heqni dorë nga shumëçka, keni mirënjohjen time të lartë, respektin tonë dhe falënderimet e mia të përzemërta. Ju përgëzoj për Ditën kombëtare“, tha mes tjerash komandanti i Korparmatës dhe shefi i ushtrisë D. Andrey, para ushtarëve të kontigjentit të 26-të në Prizren.

© albinfo.ch: Ch. Wasserfallen me ushtaraket ne Prizren

Për të marrë pjesë në kremten e 1 Gushtit nga Zvicra kishte ardhur edhe këshilltari federal, z.Christian Wasserfallen.

„Është një nder i madh për mua që të flas para shërbimit të Sviscoyt“, iu drejtua ushtarëve z. Wasserfallen, për të vazhduar: „Shërbimi i Swisscoyt vlerësohet lart në Zvicër, por ai është pak i njohur, prandaj dëshiroj që në të ardhmen të kontribuoj edhe unë që ai të bëhet i njohur. Nuk ka nevojë të flitet shumë për politikën e azilit ose të persiatemi rreth saj nëse ne nuk kemi kontribuar diçka në vendin e ngjarjes. Prandaj unë jam krenar që zviceranet dhe zviceranët kanë dhënë kontributin e tyre këtu. Unë nuk kam iluzione se shteti do të stabilizohet kaq shpejt. Stabiliteti nuk është vendosur, sikur edhe demokracia e të tjerëve. Këtu ka 40% të pjesëmarrjes në votime. Kjo është qesharake. Në Zvicër qytetari vetëm brenda një viti voton ose votohet më shumë sesa populli këtu gjatë gjithë jetës. Prandaj mendoj që ky është edhe shkaku që këtu ka halle me demokracinë“, tha mes tjerash Wasserfallen.

I pyetur nëse ai ishte për herë të parë në Kosovë dhe se si ndjehet një një festë kombëtare zvicerane jashtë atdheut, z. Wasserfallen për albinfo.ch u përgjigj: „Po, në Kosovë jam për herë të parë, por jo edhe në rajon. Unë po ndjehem shumë mirë këtu, sepse saktësisht po e shoh se çfarë po rrjedh këtu, se çfarë pune po bën këtu Zvicra, e që para se gjithash është e domosdoshme për popullatën civile të Kosovës të shihet se si bëhet ky shërbim“.

Për angazhimin ushtarak të ushtrisë zvicerane në një bashkësi shumëkombëshe në Kosovë z. Wasserfallen e tha: „Kjo dëshmon se ushtria zvicerane, ndonëse ne jemi një shtet neutral, pra edhe në një bashkësi ndërkombëtare ushtarake të ketë arritje të shquara, para së gjithash cilësia e punës të vlerësohet shumë nga shtetet e tjera“.

Ushtarët përshëndesin parakalimin e flamurit zviceran me helikopter

Një përmbledhje të manifestimit të 1 Gushtit në Prizren e dha oficeri për informim, majori Hans Tschirren. „Ne sot festuam 1 Gushtin në Prizren, në kampin gjerman. Këtu patëm afro 120 ushtarë nga kombe të ndryshme.

Kjo festë oraganizohet me ftesa, që do të thotë se nuk mund të jetë i pranishëm çdokush, sepse përndryshe sot do t’i kishim këtu mbase 500 njerëz. Natyrisht, ne patëm edhe vizitorë, siç ishte Komandanti i KFOR-it, gjenerali Drews, shefi i ushtrisë sonë, komandanti i korparmatës D. Andrey dhe siç e patë këtu ishte edhe këshilltari federal Wasserfallen, i cili na foli.

Pastaj ne organizuam edhe një ndejë të bukur dhe e bukura e kësaj feste ishte prania e Kompanisë këtu në plato deri sa po bëhej parakalimi i flamurit zviceran me helikopter. Kjo është e papërsëritshme. Nuk ka komb tjetër këtu në Kosovë që të bëjë fluturimin e flamurit mbi trupat ushtarake. Këtë ne e bëjmë çdo herë, e po ashtu edhe gjatë ndërrimit të komandës. Kur kontigjenti shkon në shtëpi dhe vjen i riu në Kosovë, atëherë helikopteri fluturon me flamur mbi të dy kontigjentet. Tani në shërbim është kontigjenti i 26-të dhe ne do të qëndrojmë këtu deri më 5 tetor 2012, kur do të vijë kontigjenti i 27-të“.

Fofo galeri