Lajme

“Dërgesat me 0 komision”

Dërgesat në para mund të përcillen nga të gjitha vendet ku ka diasporë kosovare me zero komision. Shuma, e pakufizuar.

Ndryshe nga praktikat kryesisht negative dhe demotivuese për diasporën, për të cilat jemi mësuar të dëgjojmë kur është fjala për bankat në Kosovë, TEB Banka në Prishtinë ka ndërmarrë një nismë interesante që shkon në favor të mërgimtarëve.

“Dërgesat me 0 kamatë” është produkti më i ri që kjo bankë e ka plasuar këtë vit dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit. Lidhur me atë se çka paraqet ky produkt dhe me interesin që ka një bankë për të pranuar dërgesa pa interes, për albinfo.ch flet Arton Celina, kryesues i Shitjes dhe Marketingut në zyrën Qendrore të TEB Sh.A. Kosovë.

Pyetjes për arsyen dhe levërdinë që ka pasur banka TEB për të plasuar një produkt të tillë me “0 komision” (zero interes apo zero kamatë), Selina i përgjigjet me shpjegimin se kjo bankë synon që gjithnjë të sjellë produkte të reja dhe inovative. Veç kësaj, ai e sqaron edhe levërdinë indirekte që ka banka nga kjo iniciativë.

“Banka jonë prej vitit 2008 ka filluar punën e saj në Kosovë dhe brenda kësaj periudhe ka arritur të jetë banka më dinamike dhe inovative në treg, duke ofruar produkte unike në tregun financiar të Kosovës. Duke pasur parasysh se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ofertë të veçantë për diasporën dhe duke e ditur ndikimin e remitencave në ekonominë e Kosovës, e kemi parë të arsyeshëm ofrimin e këtij produkti për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Sa i përket levërdisë për bankën tonë, ajo është e natyrshme, sepse për realizimin e këtyre transfereve familjarët e bashkatdhetarëve që i pranojnë këto transfere duhet domosdoshmërisht të kenë një llogari të hapur te ne, e cila hap rrugët e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, përmes së cilës fitohet një klientelë e re dhe e përshtatshme për bankën”, thotë Celina dhe shton se shuma e transaksioneve nuk është e kufizuar.

I pyetur për kohëzgjatjen dhe për gjeografinë që mbulon kjo iniciativë, shefi i shitjes dhe marketingut në bankën TEB të Kosovës thotë se aksioni zgjat deri në fund të këtij viti ndërsa nga ai mund të përfitojnë të gjithë mërgimtarët, pavarësisht në cilin vend jetojnë. “Mjafton ta ketë përshkrimin DIASPORA në fushën 70 të transfereve ndërkombëtare”.

© albinfo.ch: Arton Celina

Sa u përket bankave të Kosovës, ky është produkti i parë i kësaj natyre, thotë Celina.

“Me sa ne jemi të njoftuar, deri tani nuk ka pasur ndonjë produkt enkas për diasporën në tregun kosovar. Mund të ketë pasur diçka të tillë për ndonjë segment të caktuar, por si produkt i veçantë dhe që vlen për çfarëdo dërgese nuk kemi pasur rast të dëgjojmë. Çmimi të cilin klientët do të duhej ta paguanin në Kosovë me rastin e pranimit të një transferi hyrës kushton 0.15% nga shuma e dërguar apo 15 euro minimumi”.

Bashkëbiseduesi ynë thekson se duke qenë që shumica e familjeve në Kosovë kanë të afërm të tyre në shtetet perëndimore, remitencat kanë rëndësi të madhe për Kosovën.

“Për këtë arsye unë besoj që ky produkt do t`u përshtatet të gjithë bashkatdhetarëve tanë, duke iu reduktuar atyre kostot e transakcionit brenda në Kosovë. Remitencat në Kosovë siç e dimë kryesisht janë të dedikuara për konsum familjar, së paku deri më sot ka qenë kështu, por ne shpresojmë që diaspora do të jetë më aktive në investimet e ndryshme brenda Kosovës duke i ofruar vendlindjes dhe familjarëve të tyre mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik”, përfundon Arton Celina.

Edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës dhe 4 vjet pas pavarësimit të Kosovës, dërgesat nga diaspora vazhdojnë të luajnë rolin e shtyllës kryesore të ekonomisë në Kosovë.

Remitencat nga diaspora kapin shifrën rreth gjysmë miliardi euro në vit. Ato më tepër shërbejnë si një stabilizues i problemeve sociale, sesa burime të ndonjë investimi dhe gjenerimi të vlerës, vlerësojnë analistët ekonomikë.