Lajme

Rishfaqet mosdurimi mes Christopher Dellit dhe Veton Surroit

Dell: Surroi i ishte përunjur Thaçit që ta bënte president. Surroi: “Dell është krijues dhe shpërndarës i thashethemeve”

Përderisa diplomati amerikan në një intervistë për gazetën e Prishtinës “Kosova sot” ka thënë se ai kishte qenë dëshmitar kur Surroi i ishte përunjur kryeministrit Thaçi që ky i fundit ta bënte president të Kosovë, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga ky post, Surroi ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se “Dell është krijues dhe shpërndarës i thashethemeve”. “Më duhet t’ju them se një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur duke qenë dëshmitar i tij ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para kryeministrit duke e lutur të bëhet president. Kjo ka ndodhur në shtëpinë time, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit”, citohet t’i ketë thënë Dell gazetës “Kosova sot”. Ndërsa nuk ka vonuar reagimi i Veton Surroit, i cili përmes televizionit i cili qëndron afër botëkuptimeve të tij politike, KTV-së, ka dhënë një version ndryshe nga ai i ambasadorit Christopher Dell.“Kam shkuar në rezidencën amerikane me ftesë të ambasadorit Dell për darkë, në të cilën ai ka insistuar në prani të Hashim Thaçit që do të ishte mirë për vendin që unë të bëhem president pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut. Me arsyetimin se kjo do të ishte mirë për të tejkaluar krizën institucionale dhe për ta prezantuar Kosovën më mirë në botë, për shkak të perceptimit negativ që ka z. Thaçi në botë. Nuk ka pasur kurrfarë zvarritje, as lutje nga ana ime, po ka qenë ide e ambasadorit Dell dhe pjesë e bisedës së tij. Kurse Pacollit asnjëherë nuk i jam kërcënuar, por në një takim i kam thënë se do t’i bënte dëm Kosovës zgjedhja e tij për president”, i ka thënë Surroi KTV-së.Një “armiqësi” deri në mosdurim të hapur në mes të Christopher Dellit dhe Veton Surroit, ka filluar kur gazeta e Surroit, “Koha Ditore” i kishte bërë publike disa mesazhe elektronike (SMS) mes ambasadorit Dell dhe Behgjet Pacollit, kur ky i fundit e mori mandatin e kontestuar për president në vitin 2010.Veton Surroi së fundmi deklaron se prej vitit 2004 nuk është botues i gazetës “Koha Ditore” dhe se nuk ka as lidhje institucionale me kompaninë “Koha”, ndërsa udhëheq një organizatë me emrin Klubi për Politikë të Jashtme. E, ndërkaq, ambasadori amerikan, Christopher Dell, po i numëron ditët e fundit të misionit të tij diplomatik në Kosovë.