Lajme

Volkswagen tërheq miliona vetura për shkak të një problemi në timon, mbi 66 mijë në Zvicër

Problemi lidhet me korrozionin e mundshëm të një vidhe në sistemin e drejtimit. Në Zvicër preken vetura të markave Volkswagen, Audi, Seat dhe Skoda, ndërsa riparimi do të bëhet falas

Grupi Volkswagen ka nisur një aksion të gjerë të tërheqjes së automjeteve për kontroll dhe riparim për shkak të një problemi të mundshëm në sistemin e drejtimit. Masa prek miliona automjete në mbarë botën, ndërsa vetëm në Zvicër bëhet fjalë për më shumë se 66 mijë vetura, transmeton albinfo.ch.

Sipas Autoritetit Federal Gjerman të Transportit Motorik (KBA), problemi lidhet me një lidhje me vidë në mekanizmin e drejtimit, e cila në rrethana të caktuara mund të preket nga korrozioni. Në rastet më të avancuara, kjo mund të ndikojë edhe në funksionimin e sistemit të drejtimit. Për këtë arsye, pjesa në fjalë duhet të zëvendësohet me një variant më rezistent ndaj korrozionit.

Mbi 66 mijë automjete në Zvicër

Sipas importuesit zviceran AMAG, në Zvicër masa prek gjithsej 66,043 automjete: 40,073 Volkswagen, 8,619 Audi, 3,651 Seat dhe 13,700 Skoda.

Pronarët e automjeteve të prekura do të informohen dhe do të ftohen të paraqiten te partnerët përkatës të markës. Ndërhyrja dhe zëvendësimi i pjesës problematike do të bëhen pa pagesë për pronarët.

Në mesin e modeleve Volkswagen të prekura janë Tiguan, Touran, Golf, Golf Variant dhe Caddy, të prodhuara ndërmjet 24 shtatorit 2013 dhe 1 korrikut 2024.

Te Audi, problemi është identifikuar te modeli Q3, i prodhuar ndërmjet 31 tetorit 2017 dhe 23 majit 2024, ndërsa te Seat preken modelet Ateca dhe Tarraco, të prodhuara ndërmjet prillit 2016 dhe shtatorit 2024.

Korrozioni mund të ndikojë në sistemin e drejtimit

Kontrollet e cilësisë kanë treguar se, në kushte të caktuara mjedisore dhe pas ekspozimit afatgjatë ndaj kripës së përdorur në rrugë gjatë dimrit, mund të krijohet korrozion në vidën e sistemit të drejtimit.

Sipas prodhuesit, deri tani nuk janë raportuar raste me persona të lënduar apo dëme të tjera të lidhura me këtë problem. Tërheqja po bëhet si masë parandaluese. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur gjithashtu se rreziku nuk konsiderohet aq i menjëhershëm sa automjetet të duhet të ndalohen menjëherë nga përdorimi; ato mund të përdoren deri në terminin e caktuar për kontroll dhe zëvendësim të pjesës.

Vetëm te marka Volkswagen, potencialisht preken rreth 2.16 milionë automjete në mbarë botën, ndërsa te Audi bëhet fjalë për afro 700 mijë automjete.

Në Zvicër, Zyra Federale e Rrugëve (ASTRA) ende nuk kishte publikuar njoftimin zyrtar për tërheqjen në momentin e raportimit, ndërsa komunikimi pritet të bëhet në ditët në vijim.