Mes 600,000 dhe 900,000 personash do të ndryshojnë sigurimin shëndetësor pas rritjes së re të njoftuar të tarifave (premiumeve) për vitin 2027, vlerëson firma konsulente Deloitte.
Një e katërta e të anketuarve thonë se e kanë të vështirë t’i paguajnë këto tarifa.
Më shumë se gjysma e popullsisë tani thotë se e shqyrton sigurimin e saj shëndetësor çdo vit, sipas një studimi të Deloitte të kryer në bashkëpunim me institutin e sondazheve YouGov në tremujorin e tretë të vitit 2026, me 1,236 persona nga e gjithë Zvicra. Personat e moshës 18-29 vjeç, si dhe banorët e Zvicrës frëngjishtfolëse dhe të Ticinos, e bëjnë këtë më shpesh se mesatarja.
“Sapo rritja e tarifës arrin në 20 franga në muaj për person, një në dy persona e merr në konsideratë ndryshimin,” shkruan Deloitte. Një vit më parë, kjo përqindje ishte pak më shumë se një e treta.
Burim shqetësimi
Këshilltarja Federale për Shëndetësinë, Elisabeth Baume-Schneider, njoftoi të martën një rritje prej 5% të tarifës mesatare, duke e çuar atë në 412 franga në muaj, raporton RTS. Rritja në nivel kombëtar do të përfaqësojë një shtesë mesatare prej 19.70 frangash në muaj, transmeton albinfo.ch.
Shtimi i trajtimeve mjekësore, përparimet në mjekësi dhe plakja e popullsisë nxisin këtë rritje të re të çmimeve.
Një e katërta e pjesëmarrësve në sondazh thanë se e kishin të vështirë t’i paguanin tarifat, sipas Deloitte. Gjithashtu, më shumë se gjysma e të anketuarve shprehen se ndihen të shqetësuar financiarisht lidhur me tarifat e sigurimit shëndetësor.