Kosova

Kosova para dy rrugëve: Presidenti deri më 6 tetor ose zgjedhje të reja

Kanë mbetur edhe pesë ditë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse Kuvendi dështon deri më 6 tetor, vendi shkon sërish në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh

Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri. Partitë politike kanë kohë deri më 6 tetor për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Në të kundërtën, vendi përballet me një tjetër proces zgjedhor, përcjell albinfo.ch. 

Pavarësisht se partitë parlamentare janë deklaruar kundër zgjedhjeve të reja, deri tani nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare mes tyre për kandidatin presidencial. Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar komunikime me krerët e opozitës për të tentuar arritjen e një marrëveshjeje.

Kurti tha më 1 tetor se komunikimet do të nisnin pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me synimin që presidenti ose presidentja e re të zgjidhet më së largu deri më 6 tetor.

Afati kushtetues është i përcaktuar

Gjykata Kushtetuese vendosi më 23 shtator se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Sipas Kushtetueses, kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka sjellë edhe fillimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Gjykata konstatoi gjithashtu se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka sqaruar se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Data më e vonshme për mbajtjen e tyre është 15 nëntori.

PDK-ja kërkon ndryshime për Gjykatën Speciale

Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti i dytë më i madh parlamentar, ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por e ka lidhur këtë me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka kërkuar që mandati i kësaj gjykate të kufizohet dhe që të vendoset një mekanizëm monitorimi ndërkombëtar. Në propozimin e saj, partia ka kërkuar gjithashtu që çështjet e krimeve të luftës të trajtohen në Kosovë.

Kjo kërkesë vjen në një periudhë kur Gjykata Speciale ka shqiptuar aktgjykime ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çështja e Speciales është bërë një prej temave kryesore në komunikimin politik mes partive.

LDK-ja dhe kandidatura e Bekim Sejdiut

Një marrëveshje për president ishte diskutuar më herët mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kishin bërë të ditur dakordimin për kandidaturën e Bekim Sejdiut.

Megjithatë, kandidatura u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke e vështirësuar sigurimin e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga gara.

Që nga ajo kohë, nuk është raportuar për një marrëveshje të re ndërmjet LVV-së dhe LDK-së për një kandidat tjetër presidencial.

AAK-ja vazhdon të ketë kërkesat e saj

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë ndër subjektet që nuk ka zhvilluar takime të reja me Vetëvendosjen për çështjen e presidentit. Partia ka kërkesa të tjera politike, përfshirë çështjen e gazit amerikan, të cilat i ka vendosur në kuadër të qëndrimit të saj politik.

Ndërkohë, partitë vazhdojnë të deklarohen kundër zgjedhjeve të reja, por koha në dispozicion për të gjetur një zgjidhje po ngushtohet.

Nga presidenti te zgjedhjet – çfarë ndodh pas 6 tetorit?

Nëse Kuvendi arrin ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, procedura për shmangien e zgjedhjeve të reja vazhdon brenda institucioneve ekzistuese.

Nëse presidenti nuk zgjidhet, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi hyn në një proces të ri zgjedhor. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh, me afatin më të vonshëm më 15 nëntor.

Një proces i tillë do të ishte cikli i katërt zgjedhor në më pak se dy vjet. Zgjedhjet e rregullta parlamentare u mbajtën në shkurt 2025, pas tyre vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme në dhjetor 2025, ndërsa më 7 qershor 2026 u mbajtën zgjedhje të tjera pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.

Tash, vetëm pak ditë para skadimit të afatit kushtetues, partitë politike ndodhen përballë dy mundësive: arritjen e një marrëveshjeje për presidentin ose kthimin e vendit sërish në zgjedhje./Albinfo.ch