Një koncert që synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane nxiti reagime politike, pasi në të u interpretua melodia e një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Polemika bëri që komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të shprehte keqardhje për përzgjedhjen e saj.
Ngjarja ndodhi më 15 nëntor në Bruksel, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj, transmeton albinfo.ch.
Gjatë koncertit, megjithatë, nuk u kënduan vargjet e këngës. U interpretua vetëm melodia, ndërsa titulli u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve.
Përfshirja e saj në një aktivitet të Komisionit Evropian nxiti reagime nga zyrtarët e Kosovës dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për mënyrën e përzgjedhjes së repertorit.
Në një prononcim për gazetarët, më 16 nëntor, Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj. Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.
“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos.
Çfarë dihet për këngën?
Kënga “Sa Kosova zora sviće” – në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” – e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviq.
Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989. Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës. Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.
E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova. Ajo u krijua në kohën e rritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit.
Në vitin 1989, autoritetet serbe kufizuan në mënyrë drastike autonominë e Kosovës, duke përshkallëzuar represionin politik dhe institucional ndaj shqiptarëve. Një dekadë më vonë, Kosova u përfshi në luftën e viteve 1998-1999.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.
Reagimet nga Kosova dhe Parlamenti Evropian
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e kritikoi interpretimin e melodisë, duke e lidhur përmbajtjen e këngës me periudhën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kufizonte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Ai kërkoi shpjegime nga Komisioni Evropian si për përzgjedhjen e këngës, ashtu edhe për mungesën e një ftese për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në Forum. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se intepretimi i melodisë në fjalë është thellësisht shqetësues dhe shtoi se mesazhet e tilla bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
Edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e cilësoi si të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet kushtuar zgjerimit evropian dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Sipas tij, kënga përmban pretendime politike mbi territorin e Kosovës dhe interpretimi i saj nuk mund të trajtohet thjesht si shkëmbim kulturor.
Kritikave iu bashkua edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili tha se incidenti ishte ose një provokim i qëllimshëm, ose pasojë e mosdijes së organizatorëve. Sipas Terrasit, interpretimi i një kënge që përmban pretendime mbi sovranitetin e Kosovës në një aktivitet evropian për zgjerimin, ishte i papërshtatshëm dhe kërkon shpjegim nga Komisioni Evropian.
Emini: Përzgjedhja e këngës serbe nuk duket të ketë qenë rastësi
Ekspertja për çështje evropiane, Donika Emini, e cila ishte e pranishme në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit në Bruksel, nuk beson se përzgjedhja e melodisë së këngës serbe për Kosovën ishte rezultat i pakujdesisë.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se organizatorët duhej të kishin treguar më shumë kujdes ndaj ndjeshmërive historike dhe politike të rajonit.
“Nuk mendoj që është prej pakujdesisë”, tha Emini, duke theksuar se problemi nuk qëndron te gjuha serbe e këngës, por te pretendimet territoriale ndaj Kosovës që përmban teksti i saj.
Ajo kritikoi edhe faktin që komisionarja evropiane për Zgjerim, Kos, ua atribuoi përzgjedhjen e këngës muzikantëve, duke theksuar se përgjegjësia për repertorin nuk mund të shmanget në këtë mënyrë. Emini tha se incidenti ngre shqetësime më të gjera për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, veçanërisht në një kohë kur të dyja palët po përpiqen t’i riparojnë marrëdhëniet pas tensioneve të viteve të fundit.
“Ndikimi është shumë i madh”, tha ajo, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ndikojë negativisht jo vetëm në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe në atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Brukselit.
Si u përzgjodh melodia?
Programi zyrtar i Komisionit Evropian identifikon si interpretues të koncertit të 15 nëntorit Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor dhe muzikantin Marko Hatlak me grupin Kapobanda.
Koncerti ishte pjesë e pritjes së organizuar nga komisionarja Kos, por programi nuk jep hollësi për mënyrën e përzgjedhjes së repertorit. Edhe pse Kos ua atribuoi përzgjedhjen e këngës muzikantëve, mbetet e paqartë nëse repertori ishte shqyrtuar ose miratuar paraprakisht nga organizatorët e Forumit.
Deri më tani, nuk janë paraqitur prova që të konfirmojnë se përfshirja e melodisë kishte për qëllim provokimin e Kosovës.
Lëvizja studentore në Serbi mbron këngën
Kritikave ndaj interpretimit të melodisë serbe në Bruksel iu kundërpërgjigjën edhe studentët në bllokadë të Fakultetit të Shkencave Teknike në Novi Sad – pjesë e lëvizjes studentore që fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe synon të formojë Qeverinë e re.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, ata mbrojtën këngën, duke iu referuar statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova nuk është anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Serbia është. Prandaj, nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë aneksim dhe as për ndonjë problem me këndimin e kësaj kënge”, shkruan studentët.
Kosova pa përfaqësues institucionalë në Forum
Polemika për koncertin nxori në pah edhe një çështje tjetër: mungesën e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Edicioni i dytë i Forumit, që zhvillohet më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel, mbledh udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve që synojnë anëtarësimin, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile.
Në programin e tij janë përfshirë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionarja Marta Kos, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, si dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të procesit të zgjerimit.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Zulfaj, kritikoi mungesën e një ftese për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, por Kos e kundërshtoi pretendimin se Kosova nuk ishte ftuar në Forum. “Nuk është e saktë që përfaqësuesit e Kosovës nuk janë ftuar”, tha ajo, duke theksuar se në aktivitet marrin pjesë persona nga të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale.
Megjithatë, Kos konfirmoi se pesë vende kandidate marrin pjesë me përfaqësues të qeverive të tyre, ndërsa nga Kosova në diskutime merr pjesë ekspertja e shoqërisë civile, Donika Emini.
Komisionerja nuk sqaroi nëse ftesa u ishin dërguar edhe institucioneve të Kosovës dhe, nëse jo, përse ato nuk ishin përfshirë në të njëjtën mënyrë si qeveritë e vendeve të tjera. Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk ka kaluar në fazën që do t’i hapte rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat.
Pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet një nga çështjet kryesore në rrugën e saj evropiane.
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Kurtit, pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk pasqyron përparimin e arritur nga vendi.
BE-ja ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u kërkon të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve. “Në këtë frymë, ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane”, tha Kos.