Skip to content

Konjufca riafirmon synimin për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Frankofoni

Në kuadër të Konferencës Ministeriale të Frankofonisë në Kamboxhia, Konjufca kërkoi edhe mbështetjen e Andorrës për avancimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka riafirmuar synimin e Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).

Konjufca përfaqësoi Kosovën në Konferencën e 48-të Ministeriale të Frankofonisë, të mbajtur më 14 nëntor në Phnom Penh të Kamboxhias, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje, ai u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Andorrës, Imma Tor. Qeveria e Andorrës njoftoi se Konjufca kërkoi mbështetjen e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OIF dhe në Këshillin e Evropës.

Pjesëmarrja e Kosovës në konferencë u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit me vendet frankofone dhe angazhimin në nismat e organizatës.

Kosova ka statusin e anëtares së asociuar të OIF-së që nga viti 2018 dhe synon avancimin në anëtarësi të plotë./Albinfo.ch