Skip to content

Pacolli takon drejtorin e ISA-së, diskutojnë zhvillimin e energjisë diellore në Kosovë

Në kuadër të COP31, Fitore Pacolli dhe Ashish Khanna diskutuan për financimin e projekteve diellore, ruajtjen e energjisë përmes baterive dhe mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në ISA.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm të Aleancës Ndërkombëtare të Energjisë Diellore (ISA), Ashish Khanna, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31.

Sipas njoftimit të saj, takimi u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e energjisë diellore në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Pacolli theksoi potencialin e Kosovës në këtë fushë dhe rëndësinë e energjisë diellore për tranzicionin energjetik dhe zvogëlimin e varësisë nga qymyri.

Gjatë takimit u diskutua për mbështetjen teknike, mundësitë e financimit të projekteve diellore, ruajtjen e energjisë përmes baterive dhe fleksibilitetin e rrjetit energjetik.

Ministrja bëri të ditur se palët shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar rrugët e anëtarësimit të Kosovës në ISA. Sipas saj, anëtarësimi do të hapte mundësi të reja për investime, ekspertizë dhe zhvillimin e energjisë së pastër në vend./Albinfo.ch