Skip to content

Kurti pranon letër falënderimi nga drejtuesit e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër falënderimi nga bashkëkryetarët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), Cedric Wermuth dhe Mattea Meyer.

Letra është dërguar në përgjigje të urimit që Kurti u kishte përcjellë dy drejtuesve me rastin e rizgjedhjes së tyre në krye të partisë.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se bashkëpunimi me socialdemokratët zviceranë mbështetet në parime dhe vlera të përbashkëta, ndër të cilat veçohen drejtësia sociale, solidariteti dhe demokracia.

Sipas Vetëvendosjes, marrëdhëniet ndërmjet dy subjekteve politike janë zhvilluar ndër vite dhe janë institucionalizuar përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit (MoU), i cili krijon bazë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Në njoftim thuhet se këto raporte politike dhe miqësore kontribuojnë edhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim.

“Partneritetet e qëndrueshme ndërtohen mbi vlera të përbashkëta dhe forcohen përmes solidaritetit dhe veprimit të përbashkët”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Vetëvendosje.