Shqipëria

“Shqipëria përtej bregdetit”, në fokus të numrit special të albinfo.ch

Me “Turizmin përtej bregdetit” është menduar ajo pjesa, shpesh e anashkaluar e turizmit, që padrejtësisht “mbulohet” nga “invazioni” masiv drejt detit. Ky numër është realizuar me mbështetje nga "RISI Albania"

Doli nga shtypi numri më i ri, 4, për vitin 2018 i magazinës albinfo.ch. Bëhet fjalë për një numër special, pjesa tematike e të cilit i kushtohet në tërësi turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. Nuk është hera e parë që albinfo.ch i kushton botimet e saj zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe në Kosovë por e veçanta e numrit aktual është se ai është fokusuar në turizmin “përtej bregdetit”, siç është dhe motoja e konceptit të këtij botimi luksoz dhe me numër të dyfishuar të faqeve.

Në këtë numër prezantojmë shumë reportazhe të zhvilluara në vendin e ngjarjes, nga njohës të shquar të fushës së turizmit në Shqipëri. Po ashtu fjalën e tyre kompetente për revistën e kanë thënë edhe personalitete të rëndësishme nga jeta politike, kulturore e turistike e Shqipërisë dhe Zvicrës.

Me “Turizmin përtej bregdetit” është menduar ajo pjesa, shpesh e anashkaluar e turizmit, që padrejtësisht “mbulohet” nga “invazioni” masiv drejt detit. Dihet se, sidomos kur kemi të bëjmë me Shqipërinë, bregdeti, pa të drejtë, identifikohet madje si i vetmi “turizëm i mirëfilltë” që ofron ky vend. Pikërisht për të sfiduar këtë mendësi, redaksia e albinfo.ch me mbështetjen e projektit zviceran “RISI Albania”, në numrin aktual të revistës ka bërë përpjekje që të tregojë se sa e pasur është oferta turistike e Shqipërisë “përtej bregdetit”, pra ajo e hinterlandit të saj. Këtu përfshihet në radhë të parë turizmi malor që më së shumti identifikohet me alpinizmin, “Hiking”-un ose ecjen malore.

Në Shqipëri tashmë janë bërë pjesë e guidave mjaft serioze evropiane e botërore pikat turistike si Thethi e Valbona në veri, ndërsa edhe shumë perla të këtij lloji presin të dëshmohen para turistëve të jashtëm me bukuritë e tyre.

Veç turizmit malor, Shqipëria ofron edhe turizëm kulturor që para turistëve të huaj shpaloset në pamjen e qyteteve me arkitekturë interesante dhe vendgërmimeve arkeologjike që impresionojnë me kulturën antike që rrezatojnë. Prandaj turizmi kulturor ka pjesën e tij të merituar në numrin që po prezantojmë.

Turizmi kulinarik është sigurisht ende në margjina të asaj që në Shqipëri kuptohet me konceptin turizëm. Albinfo.ch përmes shkrimeve të saj në numrin më të ri ka hedhur dritë edhe mbi këtë segment të turizmit që kërkon promovim më të fuqishëm kur dihet se Shqipëria ka çfarë të ofrojë edhe në këtë aspekt.

Magazina albinfo.ch, si zakonisht, mund të gjendet (gratis) në të gjitha pikat që frekuentohen nga shqiptarët në Zvicër, si në përfaqësitë diplomatike të Kosovës e të Shqipërisë në Zvicër, qendrat dhe klubet kulturore, lokalet tregtare, hoteliere, qendrat fetare etj. Por, ky numër special, me një tirazh të shumëfishuar, do të shpërndahet edhe në përfaqësi të shumta diplomatike të Zvicrës dhe në qendra tjera me rëndësi ku promovohet turizmi shqiptar, gjithandej në botë.