Lajme
SHBA, fillon procesi i shkarkimit të presidentit
Gjyqi për shkarkimin e mundshëm të Presidentit amerikan, Donald Trump filloi të enjten me një sërë procedurash ceremoniale që përgatisin terrenin për argumentat hapëse në fillim të javës së ardhshme.
Është vetëm hera e tretë në historinë amerikane që senatorët do të gjykojnë një president amerikan dhe do të përcaktojnë nëse duhet të shkarkohet apo jo nga detyra. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson gjyqi mbahet ndërsa demokratët argumentojnë se prova të reja vërtetojnë se presidenti është fajtor për vendosjen e kushteve për ndihmën ndaj Ukrainës, në këmbim të interesave të tij politike.
Senatorët amerikanë bënë betimin dhe nënshkruan se do të gjykojnë në mënyrë të paanshme Presidentin Trump.
Ata do të dëgjojnë kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff – dhe gjashtë ligjvënësit e tjerë në rolin e prokurorëve – që do të paraqesin argumentat se pse sipas tyre, presidenti Trump duhet të shkarkohet.
“Asnjë president në historinë e Republikës nuk ka urdhëruar një sfidë të plotë ndaj një hetimi për shkarkim. Ky abuzim me postin shërbeu për të mbuluar shkeljet e vetë presidentit”, tha zoti Schiff.
Procesi për akuzat e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, ishte një betejë e ashpër politike.
Udhëheqësi republikan, Mitch McConnell tha se në Senat do të ishte ndryshe.
“Kjo dhomë e Kongresit ekziston që të shikojmë përtej dramave të ditës dhe të kuptojmë se si veprimet tona do të ndikojnë tek brezat e ardhshëm”, tha ai.
Por demokratët thonë se procesi nuk mund të jetë i drejtë nëse senatorët nuk lejohen të dëgjojnë nga dëshmitarët dhe të shohin dokumentat që ata thonë se provojnë që Presidenti bllokoi ndihmën për Ukrainën në këmbim të hetimeve nga të cilat do të përfitonte fushata për rizgjedhjen e tij.
“Secilit nga ne do t’i duhet të vendosë nëse do ta fillojmë gjyqin me synimin për të zbuluar të vërtetën apo në shërbim të dëshirës së presidentit për të fshehur të vërtetën”, tha senatori demokrat Chuck Schumer.
Gjyqi filloi ndërkohë që një agjenci e pavarur qeveritare, njoftoi se administrata e Presidentit Trump kishte shkelur ligjin kur bllokoi ndihmën për Ukrainën.
Aleatët e Presidentit Trump në Senat thonë se nuk ka asgjë që justifikon shkarkimin.
“Departmenti i Mbrojtjes më tha që në fillim se ishin të shqetësuar për qeverinë e re në Ukrainë. Po të shohësh të dhënat, sasia e parave për Ukrainën ishte e njëjtë si përpara”, tha senatori republikan, Lindsey Graham.
Por Lev Parnas – një bashkëpunëtor i avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani – mund të bëhet dëshmitar në proces pasi tha se zoti Trump e dinte saktësisht se çfarë po bëhej me Ukrainën. Zoti Trump e mohon një gjë të tillë.
“Nuk mbaj mend të kem biseduar ndonjëherë me të”, tha ai.
Demokratët besojnë se këto informacione të reja do të rrisin presionin për të pranuar dëshmitarë.
“Opinioni publik është rritur në favor të dëshmitarëve dhe dokumentave. Dhe republikanët duhet përballen me publikun për këtë çështje”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Gjyqi pritet të fillojë plotësisht të martën kur senatorët të kthehen nga një fundjavë e gjatë feste.
E-Diaspora
-
Një mbrëmje me Florian Vlashin në Londër – Arti si kujtesë, udhëtim dhe shërbim Në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Londër u mbajt një mbrëmje e veçantë artistike me violinistin... -
Prezantohet në Lozanë libri “Për ata që s’u kthyen” -
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare -
Baleti Kombëtar i Kosovës me turne në Amerikën Latine, ndalet në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje në Shqipëri
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit













