Opinione

Prishtina dhe drunjtë kanadezë

Veçantia e këtij pyllëzimi me drunjtë kanadezë është se këta drunjtë janë mbjellur në gjatësinë e tyre që shpesh kalon 3 metra që i ka mundësuar që shumë pjesë të Prishtinës të marrin një ngjyrosje të gjelbër

Përmendet shpesh i nxehti afrikan apo verë afrikane po kur kurrë nuk e ke provuar të nxehtit e Prishtinës të gjitha terminologjitë lidhur me meteorologjinë nuk e kanë atë kuptim të plotë që ja vlen të përmendet…

E këto ditë të pushimeve të mija në Prishtinë, jam duke e përjetuar të nxehtin e Prishtinës jo vetëm ditën po edhe natën. Mbrëmjeve apo netëve edhe pse tentojë të ndiejë freskinë apo të ndonjë erë lokale nuk më mundëson i ngrohti i cili ka kapluar edhe muret e brendshme dhe të jashtme të shtëpisë sime.

Në mëngjes, një shëtitje sado e vogël në qendër të Prishtinës më bën që të jem i kujdesur me vendin që zgjedhë për të shijuar kafen e mëngjesit. Në shumicën e rasteve ulem në lokalet e shumta që gjenden në sheshin e Prishtinës që për gjeneratën time njihet si « Korza »

Drurët e mbjellur më shije në sheshin e Prishtinës më shërbejnë si mburojë ndajë temperaturave të larta që shoqërojnë edhe mëngjeset e këtyre ditëve verore.

Deri sa shijojë me endje kafen e mëngjesit, nën hijen e drunjëve kam aq hapësirë e kohë që të sodisë hapat e personave që kalojnë pa ndalë e që rreshtohen në dy kahjet e kundërta të njëri tjetrit!

Në numrin e madh të personave të pranishëm në sheshin kryesor të Prishtinës në mëngjes dhe në mbrëmje mundohem të dallojë që në fakt nuk është e dallueshme në mes personave që gjinden në diasporë dhe vendorët.

Edhe pse nuk kam qejf të bëj dallime janë disa tregues të mijë që më bëjnë të dallojë personat që vijnë nga shtetet e ndryshme perëndimore. Në shikim të parë këta persona janë më pak të rrezitur nga Dielli i vendeve shqiptare. Familjet që fotografohen pranë përmendores së Skënderbeut më bëjnë të kuptoj që këto familje janë nga diaspora dhe po ashtu blerja e lodrave për fëmijë që gjinden në shumë kënde të korzos.

Këto ditë me vëllain e madh Besimin vizituam parkun e qytetit që dikur kam shkelur po thuaj çdo ditë për të shkuar në shkollë të mesme. Ky park kishte filluar të zhduket nga kujtesa ime për një arsye që ka të bëj më shumë me urbanizmin. Ndërtimet e larta kanë pamundësuar të dallohet qoftë edhe ndonjë shenjë e vogël të ekzistencës të parkut. E me ketë ndjenjë u futa në park që në fakt edhe pse ishte në orë të vonshme ishte një befasi e bukur duke parë e dalluar çdo ndryshim për të mirë në park. Rrugët e shtruar dhe të ndriçuara, lulet e shumta, këndet e lojërave për fëmijë, lokalet e shumta të shtrira me shije e sidomos të mbushura me njerëz që sikur lexoja në fytyra të tyre kënaqësinë e të qenurit « mysafirë të ftuar të parkut ».

Aroma e pishave më bënte të ndihem edhe më mirë në ketë atmosferë verore.

Në vazhdën e takimeve, takoj shokun e babit bacin Adem Nimani që shfrytëzuam kohën tonë të shëtitëm në parkun e Bibliotekës Kombëtare. Park i mbuluar me drunj të ndryshëm e që dallojë drunjtë kanadezë që më madhështinë dhe bukurinë e tyre tani janë të pranishëm edhe në shumë kënde te Prishtinës. Hapësira e pyllëzuar rreth Bibliotekës është po ashtu është bisedë me bacin Adem.

Janë shumë civilizime që janë mbuluar nga vegjetacioni e duke shikuar objektin që i rrijë pranë Bibliotekës, shoh në ketë objekt, një simbol të regjimit të Milloseviqit në Kosovë e shpresojë që drunjtë kanadezë do rriten sa më shpejtë e të mbulojnë ketë simbol të anticivilizimit.

Bisedojmë me Bacin Adem i cili më dhuron librin e tij të radhës – Ballkanikus, libër që më freskon edhe më shumë të dhënat e mija mbi vështirësitë e të qenit shqiptar në periudha të shumta kohore e hapësinore.

Shëtitëm në lagjen e Kodrës së Diellit ku dikur ishte stacioni i fundit të autobusit numër 4 e që tani me zmadhimin e lagjes kjo pjesë e lagjes është shndërruar si qendër me praninë e shumë lokaleve dhe të përqafimeve bankare. Po si pikë referimi për shumë persona është Furra Qerimi 2. Hapësira në mes blloqeve të para të ndërtesave të ndërtuara në fund të viteve 70 tani janë pyllëzuar me drunjë kanadezë që i japin më shumë bukuri.

Veçantia e këtij pyllëzimi me drunjë kanadezë është se këta drunjë janë mbjellur në gjatësinë e tyre që shpesh kalon 3 metra që i ka mundësuar që shumë pjesë të Prishtinës të marrin një ngjyrosje të gjelbër. Ndoshta zgjedhja për këta drunjë të gjatë është mundësi për të fituar hapësirë ndaj betonizimit të madh të qytetit.

Ky lloj druri më ka përcjellur në shumë qytete të kantonit Vaud si në Nion, Vevey apo Lozanë apo qytete evropiane që kam vizituar. Kurse për drurin dhe karakteristikat e saj kam lexuar kur kam punuar në bibliotekë kantonale të kantonit Vaud.

Druri kanadez, ka aftësi rigjeneruese të madhe. Edhe pas prerjeve të degëve apo cungimit druri rigjenerohet dhe vazhdon të rritet. Druri kanadez nuk është e rastësishme që mbillet në kënde apo shoqëron rrugët se rrënjët e këtij druri nuk përhapën në gjerësi për të dëmtuar trotuaret po në thellësi shtrojnë rrënjët…

Ky dru i ngjason popullit tonë që shumë shpesh është cunguar po ka pasur forcë të mos dorëzohet e të forcohet e të shtrojë rrënjë që të përballojë shumë dallgë…

Vazhdoj pushimin duke shpresuar që hapësira tjera të Prishtinës të mbulohen me drunjë kanadezë e me drunjë të tjerë që do i shtonin bukurin qytetit e që qytetarët e saj të shijojnë freskinë dhe bukurinë e tyre në çdo stinë të vitit…