Lajme

Një viktimë dhe 26 të infektuar nga Legionella në Bazel

Alarm në Bazel: Një i vdekur dhe 26 të shtruar nga sëmundja e legjionarëve

Një person ka humbur jetën, ndërsa 26 të tjerë janë shtruar në spital pas një shpërthimi të sëmundjes së legjionarëve në qytetin e Bazelit, përcjell albinfo.ch.

Departamenti i Shëndetësisë i Bazelit konfirmoi se të prekurit janë infektuar me këtë sëmundje, e cila shkaktohet nga bakteri Legionella, që gjendet në ujë dhe tokë dhe mund të shkaktojë një formë të rëndë të pneumonisë.

Sipas autoriteteve, fakti që rastet janë shfaqur në të njëjtën periudhë sugjeron se ato mund të kenë një ose më shumë burime të përbashkëta infeksioni.

Hetimet janë përqendruar te kullat e ftohjes së ujit. Pas marrjes së mostrave nga 10 objekte të tilla, në dy instalime të vendosura në çatinë e një ndërtese zyrash u zbuluan nivele të larta të bakterit Legionella pneumophila, përgjegjës për shumicën e infeksioneve te njerëzit.

Autoritetet shëndetësore po vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e saktë të shpërthimit dhe për të parandaluar raste të reja. /Albinfo.ch