Lajme

Mijëra lopë në Zvicër preken nga një virus i transmetuar nga insektet

Virusi prek mijëra lopë në Zvicër, zbulohet shkaku i sëmundjes

Autoritetet konfirmojnë se bëhet fjalë për një virus të transmetuar nga insektet, jo pasojë e valës së të nxehtit, transmeton albinfo.ch.

Mijëra gjedhë të sëmura në Zvicër kanë alarmuar autoritetet veterinare, ndërsa tashmë është identifikuar shkaku i shpërthimit të sëmundjes.

Sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (BLV), sëmundja shkaktohet nga një Orthobunyavirus i grupit Simbu, i cili është konfirmuar edhe te kafshët e prekura në Gjermaninë jugore.

Fillimisht, ekspertët dyshonin se simptomat ishin pasojë e temperaturave ekstreme të javëve të fundit, por analizat laboratorike treguan se bëhet fjalë për një sëmundje virale.

Virusi transmetohet nga insekte të vogla pickuese dhe mund të vazhdojë të përhapet deri në përfundimin e sezonit të tyre.

Gjedhët e prekura shfaqin simptoma si temperaturë, diarre dhe ulje të ndjeshme të prodhimit të qumështit.

Sipas njohurive aktuale shkencore, virusi nuk paraqet rrezik të konsiderueshëm infektimi për njerëzit, theksojnë autoritetet zvicerane. /Albinfo.ch