Kosova

Formimi i qeverisë, Duda Balje i shkon në zyrë Albin Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në kërkim të votave për të siguruar edhe një mandat tjetër në krye të ekzekutivit, përcjell albinfo.ch.

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, tashmë ka shkuar në zyrën e Albin Kurtit, ku pritet të diskutohet rreth formimit të qeverisë së re.

Ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të kësaj partie, para pak çastesh është parë në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës, ku edhe pritet të takohet me Kurtin.

Theksojmë se, ditë më parë, Duda Balje ka deklaruar se kërkesa për krijimin e një komune boshnjake mbetet prioritet për partinë e saj dhe është pjesë e diskutimeve për bashkëqeverisje.

“Po, patjetër. Nuk jam duke lëvizur prej vendimit që kemi marrë brenda partisë. Kërkesa është prej ditës së parë, edhe sot, edhe nesër. Në fakt, nuk është kusht, por është pjesë e marrëveshjes për qeveri”, ka thënë Balje.

Pa Listën Serbe, Kurtit i mbesin 11 deputetë të cilëve mund t’ua kërkojë votën.