Pjesëmarrja dhe udhëheqja domethënëse e grave janë thelbësore për ndërtimin e institucioneve më gjithëpërfshirëse dhe më reaguese, ka theksuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Në konferencën përmbyllëse të “Week of Women 2026” (#WoW2026), Mattia Poretti, shef i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, foli për rëndësinë e krijimit të hapësirave ku gratë mund të lidhen me njëra-tjetrën, të shkëmbejnë ide dhe t’i shndërrojnë përvojat e tyre në veprim.
“Zvicra mbetet e përkushtuar për të mbështetur hapësirat ku dialogu mund të çojë në bashkëpunim, dhe bashkëpunimi mund të çojë në veprim”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
“Week of Women 2026” organizohet nga NDI Kosovo, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në mbështetje të kësaj nisme janë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, ndërsa KATROR Media and Publicity është partneri zyrtar mediatik i edicionit të sivjetshëm./Albinfo.ch