Gruaja

Efikasiteti dhe siguria e vaksinave

Dr. Fatime Imeri Berisha, specialiste e mikrobiologjisë nga Cyrihu, shkruan për përparësitë dhe mangësitë e vaksinave kundër Covid-19 që aktualisht janë në qarkullim

Aktualitetet për vaksinat kundër COVID-19

Publikimet e rezultateve nga miliona njerëz të vaksinuar që nga fillimi i vitit 2021 plotësojnë të dhënat statistikore për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave kundër COVID-19, të cilat u publikuan në fund të vitit 2020.

Nga llojet e vaksinave, për të cilat ka të dhëna më të shumta janë BioNTech/Pfizer, Moderna, AstraZeneca/Oxford dhe kohëve të fundit, ajo e Johnson&Johnson. Dy të parat përmbajnë mRNA, kurse vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson&Johnson veprojnë nëpërmes të një adenovirusi joaktiv, i cili është bartës i gjenit për proteinën spike të koronavirusit SARS-CoV-2.

Të dhënat për efikasitetin janë përafërsisht të njëjta për vaksinën Moderna (94%) dhe atë BioNTech/Pfizer (95%). Efikasiteti i AstraZeneca vlerësohet aktualisht me 70%, edhe pse në disa raste ai është më i lartë. Vaksina Johnson&Johnson llogaritet të ketë efikasitet prej 66%.

Për efikasitetin ndaj varianteve të reja të virusit nuk ka të dhëna të sakta, por mendohet që është më i ulët.

Sipas një studimi, dy javë pas marrjes së dozës së dytë të BioNTech/Pfizer, 97% e personave nën 60 vjeç dhe 68% të mbi 80 vjeçarëve kanë antitrupa me kapacitet për të neutralizuar apo bllokuar virusin.

Nga kjo rezulton që mosha ka rol në shkallën e mbrojtjes nga infeksioni pas vaksinimit.

Disa publikime konkludojnë që përveç moshës edhe mbipesha është e lidhur me prodhim të një sasie më të ulët të antitrupave.

Mirëpo një fakt tashmë dihet: të gjitha vaksinat e lartpërmendura kanë një shkallë të lartë të mbrojtjes nga komplikimet dhe simptomat e rënda me COVID-19, pa marrë para sysh moshën dhe faktorët tjerë.

Bazuar në faktin që vaksina ka filluar të jepet disa muaj më parë, është ende herët të konkludohet  se sa do të zgjasë mbrojtja pas marrjes së saj.

Reaksionet e shpeshta  pas marrjes së vaksinës

  • Reaksionet lokale: dhimbja, skuqja dhe të ënjturit në vendin ku është injektuar vaksina
  • Reaksionet sistemike: temperatura, ethet, lodhja, dhimbja e kokës dhe e muskujve

Këto reaksione të parrezikshme zgjasin pak ditë dhe nuk lënë pasoja.

Reaksionet shumë të rralla pas marrjes së vaksinës

  • Vaksina BioNTech/Pfizer: shoku anafilaktik te 5 raste në një milion të vaksinuar
  • Vaksina Moderna: shoku anafilaktik te 2.8 raste në një milion të vaksinuar
  • Vaksina Johnson&Johnson: tromboza dhe zvogëlimi i numrit të trombociteve në gjak (6 raste në 6.8 milionë të vaksinuar)
  • Vaksina AstraZeneca: tromboza dhe zvogëlimi i numrit të trombociteve në gjak (të dhënat nga Britania e Madhe)
  1. Trombozë e enëve të gjakut në tru: 169 raste në 34 milionë të vaksinuar
  2. Trombozë e venave të abdomenit (barkut): 54 raste në 34 milionë të vaksinuar

Këto efekte janë paraqitur dy javët e para pas marrjes së dozës së parë të vaksinës AstraZeneca dhe kryesisht te femrat e moshës nën 60 vjeçare.

Si pasojë e trombozës ka pasur edhe raste të vdekjeve, gjë që ka rezultuar me pezullim të përkohshëm të vaksinave AstraZeneca dhe Johnson&Johnson në disa shtete.

Vlen të theksohet fakti, që në bazë të rezultateve të deritashme, rreziku për trombozë është shumëfish më i lartë te sëmundja COVID-19 sesa pas marrjes së vaksinës.

A duhet të vaksinohen ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen?

Po, sepse edhe personat që e kanë kaluar COVID-19 mund të riinfektohen, disa muaj pas sëmundjes.

A mund të dallojë testi në laborator llojet e antitrupave në gjak: nga vaksinimi apo nga COVID-19?

Testet laboratorike detektojnë antitrupat kundër proteinës  spike (anti-spike) dhe antitrupat kundër strukturave tjera të koronavirusit, siç është nukleokapsidi (anti-nukleokapsid).

Anti-spike janë të vetmit antitrupa që mbrojnë nga infeksioni me koronavirus.

Një individ që e ka kaluar COVID-19 ka antitrupa anti-spike dhe anti-nukleokapsid kurse një i/e vaksinuar  që nuk ka qenë i sëmurë, ka vetëm anti-spike.

Nga përvoja me teste të tilla dhe nga publikimet, individët e vaksinuar kanë nivel më të lartë të këtyre antitrupave krahasuar me ata që kanë qenë të sëmurë.

Kapaciteti i antitrupave anti- spike për të bllokuar koronavirusin përcaktohet me teste të neutralizimit, por që aktualisht bëhet shumë rrallë.

Një test tjetër laboratorik për imunitetin ndaj koronavirusit është edhe testi i stimulimit të limfociteve T (LTT : leucocyte transformation test), i cili preferohet te pacientët e paktë që nuk kanë antitrupa në gjak pas COVID-19.

 

Përfundim

  • Shumica e studimeve që janë bërë në tremujorin e parë të vitit 2021 tregojnë që vaksina BioNTech/Pfizer ka efikasitet prej 95%, vaksina Moderna 94%, vaksina e AstraZeneca 70%, kurse ajo e Johnson&Johnson 66%.
  • Efikasiteti ndaj varianteve të reja të koronavirusit me gjasë është më i ulët, por ende nuk ka shifra të sakta.
  • Efektet anësore të shpeshta, si ato lokale ashtu edhe ato sistemike, janë të parrezikshme.
  • Komplikim i rrallë por serioz pas marrjes së vaksinës është tromboza, kurse te të sëmurët me COVID-19 ky komplikim është shumë më i shpeshtë.
  • Llogaritet që një individ është i mbrojtur dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës
  • Testi laboratorik që mund ta bëjnë të vaksinuarit për të matur efektin e vaksinës është testi i antitrupave antispike.