Kosova
Bllokada institucionale rrezikon prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë
Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të përballet me një situatë të pasigurt pas 4 tetorit, kur skadojnë licencat e dy termocentraleve kryesore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Vazhdimi i licencave kërkon vendim nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili aktualisht nuk ka kuorum për të marrë vendime. Në mungesë të funksionalizimit të Bordit deri në afatin e skadimit, mbetet e paqartë nëse KEK-u do të mund të vazhdojë ligjërisht prodhimin e energjisë, raporton rel transmeton albinfo.ch.
Sipas ZRRE-së, aplikimet e KEK-ut për vazhdimin e licencave janë shqyrtuar nga stafi profesional, por vendimi përfundimtar nuk mund të merret pa krijimin e kuorumit të nevojshëm.
Kuvendi në qendër të procesit
Plotësimi i Bordit të ZRRE-së është i lidhur drejtpërdrejt me funksionalizimin e institucioneve. Ministria e Ekonomisë ka përzgjedhur kandidatët për dy pozitat e anëtarëve dhe atë të kryesuesit të Bordit, por emërimi përfundimtar bëhet nga Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi, ndërkohë, ende nuk e ka përmbyllur procesin e konstituimit të nisur më 6 gusht. Mungesa e një Kuvendi funksional po pengon edhe përfundimin e procedurave për përbërjen e re të Bordit të ZRRE-së.
Nëse licencat skadojnë pa u marrë një vendim për vazhdimin e tyre, pasojat mund të jenë të rëndësishme për furnizimin me energji, pasi termocentralet e KEK-ut përbëjnë pjesën dërrmuese të prodhimit vendor.
KEK-u mbulon pjesën kryesore të prodhimit
Sipas të dhënave të ZRRE-së për vitin 2025, prodhimi vendor i energjisë elektrike në Kosovë ishte rreth 5.298 GWh, ndërsa kërkesa totale arriti në 6.944 GWh.
Nga prodhimi vendor, termocentralet e KEK-ut gjeneruan rreth 4.687 GWh, që përbën mbi 88 për qind të energjisë së prodhuar brenda vendit. Burimet e ripërtëritshme, përfshirë hidrocentralet, prodhuan rreth 611.5 GWh.
Në total, prodhimi vendor mbuloi mbi 76 për qind të kërkesës, ndërsa pjesa tjetër u sigurua përmes importeve.
Për këtë arsye, një ndërprerje eventuale e prodhimit në “Kosova A” dhe “Kosova B” do ta rriste ndjeshëm varësinë e vendit nga energjia e importuar.
Ekspertët paralajmërojnë për kosto të lartë
Ish-drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi, e konsideron situatën të pazakontë dhe thekson nevojën për një zgjidhje institucionale.
Sipas tij, kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar prodhimin e termocentraleve të KEK-ut, ndaj zgjidhja e problemit të licencave është urgjente.
Edhe njohësi i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, paralajmëron se një rritje e madhe e importeve do të kishte pasoja financiare për Kosovën.
Ai vlerëson se kostot shtesë mund të arrijnë në qindra miliona euro dhe fillimisht të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit, ndërsa më pas mund të reflektohen edhe te konsumatorët përmes tarifave të energjisë.
Importet tashmë kushtojnë qindra miliona euro
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), e cila ka detyrimin për të siguruar furnizimin e konsumatorëve, deklaron se në rast të ndryshimit të raportit mes prodhimit dhe kërkesës do të ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtet e tregut.
Megjithatë, kompania nuk ka dhënë një vlerësim për sasinë e energjisë që do të duhej të importohej në rast të ndërprerjes së prodhimit të KEK-ut, duke e konsideruar një skenar të tillë hipotetik.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova shpenzoi rreth 240 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me një çmim mesatar prej rreth 146 eurosh për MWh.
Kështu, me më pak se pesë javë deri në skadimin e licencave, mbetet e hapur çështja nëse institucionet do të arrijnë të funksionalizojnë Bordin e ZRRE-së dhe të sigurojnë vazhdimin e licencave të “Kosovës A” dhe “Kosovës B”.
E-Diaspora
-
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje 46-vjeçari u shpall fajtor për vjedhje me thyerje në nëntë shtëpi në Vorarlberg, ndërsa autoritetet zvicerane... -
Bilibani: Rrëfimet mbi identitetin i “përkthejmë” në gjuhën filmike -
Arbër Gashi dhe Aida Birinxhiku sërish pjesë e Parlamentit Suedez -
Protestë në Gjenevë në mbështetje të mobilizimeve në Shqipëri -
Expo Arbëria në Spezzano Albanese: Tri ditë feste për komunitetin arbëresh
Jeta në Austri
-
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje 46-vjeçari u shpall fajtor për vjedhje me thyerje në nëntë shtëpi në Vorarlberg, ndërsa autoritetet zvicerane... -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së










