Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i ka dhënë mbështetje unanime kandidatit të propozuar për president, Bekim Sejdiut.
Kështu bëri të ditur, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Berat Rukiqi, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së. Ai tha se nuk ka pasur asnjë qëndrim kundër kandidaturës së Sejdiut brenda Kryesisë, raporton rtklive.
Sipas tij, LDK-ja duhet të ketë qëndrim të unifikuar rreth çështjes së presidentit.
Ndërkaq, ende nuk dihet nëse do të ketë unifikim të qëndrimeve edhe brenda grupit parlamentar të LDK-së, pasi një ditë më parë, deputeti Avdullah Hoti bëri të ditur se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun.
Ndryshe, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) njofton se ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja bëri të ditur se Kryesia, në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe përgjegjësitë statutare, ka mbështetur marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kryesia ka miratuar edhe nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.