Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së detyrës, përcjell albinfo.ch.
Në letrën e tij, Steinmeier i ka përcjellë presidentes urimet më të mira në emrin e tij dhe të qytetarëve gjermanë, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të plotë të institucioneve të Kosovës.
Presidenti gjerman ka vlerësuar se rikthimi i funksionalitetit të institucioneve, pas muajve të bllokadës politike, përbën një zhvillim pozitiv edhe për Gjermaninë, si një nga partnerët dhe mbështetësit e kahershëm të Kosovës.
Ai ka nënvizuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe se tani është koha për të avancuar reformat e nevojshme dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit euroatlantik.
Në këtë drejtim, Steinmeier ka theksuar rëndësinë e respektimit të detyrimeve ndërkombëtare, ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në përfundim të letrës, presidenti gjerman ka rikonfirmuar se Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës si partnere e besueshme dhe ta mbështesë në rrugën e saj evropiane. Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me presidenten Shiroka-Pula, duke i uruar sukses në ushtrimin e detyrës. /Albinfo.ch