Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të nëntorit për shkak të një lëndimi në pulpën e këmbës, ka konfirmuar të hënën Federata Zvicerane e Futbollit, përcjell albinfo.ch.
Mesfushori shqiptar u lëndua të dielën gjatë ndeshjes së Sunderlandit kundër Chelseat në Premier League. Ai u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e katërt të takimit, të cilin skuadra e tij e fitoi me rezultat 1:0.
Mungesa e Xhakës vjen në një moment kur ai pritej të rikthehej në përfaqësuesen zvicerane, pas mungesës në grumbullimet e mëparshme. Federata kishte konfirmuar më herët se 34-vjeçari do të vazhdonte ta mbante shiritin e kapitenit.
Përveç Xhakës, Zvicrës do t’i mungojë edhe mbrojtësi Miro Muheim, i cili po përballet me probleme muskulore. Përzgjedhësi Murat Yakin ka ftuar Isaac Schmidt dhe Roggerio Nyakossi për të plotësuar skuadrën.
Ndërkohë, Ruben Vargas do t’i bashkohet përfaqësueses me vonesë për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa Johan Manzambi pritet të jetë në dispozicion të trajnerit.
Zvicra do të përballet me Slloveninë më 13 nëntor dhe me Skocinë më 16 nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve. Përfaqësueses zvicerane i mjafton një pikë nga këto dy takime për të siguruar rikthimin në Ligën A. /Albinfo.ch