Kosova

Dogana ndalon armë të padeklaruar në Aeroportin e Prishtinës

Arma u gjet e fshehur dhe e çmontuar në bagazhin e një udhëtari që kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar importimin e një arme ajrore të padeklaruar gjatë kontrolleve në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, përcjell albinfo.ch.

Udhëtari kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, por pas përzgjedhjes për kontroll dhe skanimit të bagazhit, zyrtarët dyshuan për përmbajtjen e valixhes.

Gjatë kontrollit fizik u gjet një revole ajrore “FB Record” e kalibrit .177, e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, në përpjekje për ta fshehur.

Arma është sekuestruar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare për procedim të mëtejshëm. Ndaj udhëtarit do të ndërmerren procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e hyrjes së mallrave të ndaluara dhe kontrabandës në territorin e Kosovës./Albinfo.ch