Kosova

Letër falënderimi e organizatorëve të manifestimit të Ditës së të Zhdukurve me forcë

"Një mirënjohje e veçantë u takon, mbi të gjitha, familjarëve të personave të zhdukur", thuhet veç tjerash në letër

Këshilli organizativ i shënimit të Ditës së të Zhdukurve me Forcë që u mbajt në Gjenevë falënderon të gjithë ata që ndihmuan këtë organizim, i cili këtë vit pati edicionin e tij të dytë.

Në vazhdim, letra e falënderimit.

Të dashur miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve, shoqatave dhe komuniteteve,
të nderuar pjesëmarrës dhe të gjithë ju që ishit pranë nesh,

Manifestimi i organizuar në Gjenevë, më 30 dhe 31 gusht 2026, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Dhunë, ishte më shumë se një ngjarje: ishte një akt kujtese, një thirrje për drejtësi dhe një dëshmi se përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.

Nga Marshi për Drejtësi, ceremonia përkujtimore dhe mbrëmja kushtuar Ukshin Hotit në Vernier, deri te takimi i delegacionit tonë në Pallatin e Kombeve të Bashkuara, çdo moment përcolli të njëjtin mesazh: kujtesa nuk duhet të shuhet, familjet kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre.

Mirënjohja jonë u drejtohet institucioneve dhe autoriteteve zvicerane e kosovare, përfaqësuesve politikë e institucionalë, të zgjedhurve kantonalë e komunalë dhe personaliteteve publike që na nderuan me praninë dhe mbështetjen e tyre.

Falënderojmë përzemërsisht Komitetin e Pritjes, vullnetarët dhe Grupin e Sigurisë së Brendshme të Marshit, si dhe Policinë e Gjenevës dhe eskortën policore, për profesionalizmin, shoqërimin, humanizmin dhe ndjeshmërinë e treguar gjatë gjithë manifestimit.

Një mirënjohje e veçantë u takon, mbi të gjitha, familjarëve të personave të zhdukur, si dhe përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme, shoqatave dhe organizatave që iu bashkuan kësaj kauze. Prania e tyre dëshmoi se dhimbja nuk njeh kufij dhe se kërkimi i së vërtetës e i drejtësisë na bashkon.

Falënderojmë artistët, aktorët, muzikantët, moderatorët, gazetarët, fotografët dhe mediat, veçanërisht sponsorin tonë medial Albinfo.ch dhe TV Léman bleu që i dhanë zë kësaj kauze dhe e përcollën mesazhin e saj përtej Gjenevës.

Mirënjohje edhe për të gjithë kontribuuesit dhe mbështetësit, ata që ndihmuan me lulet, simbolet, materialet, aperon miqësore, si dhe të gjithë ata që punuan prapa skenës, dhanë kohën, punën apo mjetet e tyre. Për ne, asnjë kontribut nuk ishte i vogël.

Më 31 gusht, mesazhi i Marshit vazhdoi rrugën deri në Pallatin e Kombeve të Bashkuara, ku delegacioni ynë, me përfaqësues institucionalë, familjarë, aktivistë dhe përfaqësues të komuniteteve të prekura nga Kosova dhe Ukraina, përcolli zërin e familjeve pranë institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Marshi nuk përfundoi në Place des Nations; mesazhi i tij vazhdoi deri në zemër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Dhe, mbi të gjitha, falënderojmë çdo qytetare dhe qytetar që marshoi me ne: secilin që mbajti fotografinë e një personi të zhdukur, solli një lule, eci në heshtje, mbajti një flamur të kombit e të kujtesës apo ndau dhimbjen e një familjeje që ende pret.

Secili prej jush kontribuoi që kujtesa të mos fshihet, zëri ynë të mos heshtë dhe kërkesa për të vërtetën dhe drejtësinë të dëgjohet.

Për familjet që presin prej vitesh nuk mund ta kthejmë kohën pas, por mund të refuzojmë harresën.

Mund t’i kujtojmë. Mund të flasim për ta. Mund ta kërkojmë të vërtetën. Sepse përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.

Me mirënjohje të thellë dhe respekt,

Mirishahe Limani Hiler, në emër të Shoqatës Kulturore Dora d’Istria së bashku me koordinatorët e projektit:
Lisa Mazzone, Edon Duraku dhe Laura Krenzi

Gjenevë, shtator 2026