Kosova

Çfarë ndodh pas verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së? Sa mund të zgjasë procedura e Apelit?

Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë të drejtë ta kundërshtojnë në shkallën e dytë aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Përvoja nga dy rastet e mëparshme që kanë kaluar në Apel tregon se procedura mund të zgjasë rreth dhjetë muaj e gjysmë.

Aktgjykimi dënues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit hap rrugën për procedurat e shkallës së dytë.

Siç raportojnë mediat në Prishtinë, ligji u garanton të dënuarve të drejtën që, përmes ekipeve të tyre të mbrojtjes, ta apelojnë aktgjykimin. Të drejtë ankese ka edhe Prokuroria, nëse nuk është e kënaqur me vendimin apo masën e dënimit.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, palët që synojnë ta kundërshtojnë aktgjykimin mund të dorëzojnë njoftimin për apel, duke specifikuar pikat që kundërshtojnë, brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.

Brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel parashihet të mbahet një konferencë, në të cilën palët mund të ngrenë çështjet që lidhen me procedurën e apelit.

Apeluesi më pas duhet të dorëzojë dosjen ku paraqet argumentet dhe bazën ligjore mbi të cilën mbështetet ankesa. Kjo duhet të bëhet brenda 60 ditësh nga njoftimi për apel. Nëse ankesa ka të bëjë vetëm me masën e dënimit, afati është 30 ditë.

Në rast se procedura e apelit iniciohet nga mbrojtja, Prokuroria ka të drejtë të përgjigjet brenda 30 ditësh nga dorëzimi i dosjes së mbrojtjes. Kur ankesa lidhet vetëm me dënimin, afati për përgjigjen e Prokurorisë është 15 ditë.

Mbrojtja ka më pas mundësinë të paraqesë kundërpërgjigje ndaj argumenteve të Prokurorisë. Për këtë parashihet një afat prej 15 ditësh, ndërsa në rastet që kanë të bëjnë vetëm me masën e dënimit, afati është 10 ditë.

Mund të paraqiten edhe prova shtesë

Një element i rëndësishëm i procedurës së Apelit është mundësia që palët të kërkojnë paraqitjen e provave shtesë.

Nëse Paneli i Apelit pranon prova të reja, pala tjetër mund të paraqesë kundërprova. Edhe mbrojtësi i viktimave mund të dorëzojë parashtresa plotësuese lidhur me ndikimin që provat e reja mund të kenë te viktimat.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Paneli i Apelit gjatë marrjes së vendimit shqyrton provat shtesë të pranuara së bashku me materialin që tashmë është pjesë e dosjes së çështjes.

Kur pritet vendimi i Apelit?

Pas dorëzimit të parashtresës së fundit nga palët, Paneli i Apelit duhet ta shpallë aktgjykimin brenda 60 ditësh. Megjithatë, nëse ekzistojnë arsye bindëse, ky afat mund të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera.

Vendimi për fajësinë ose dënimin i shqiptuar nga Apeli hyn në fuqi menjëherë. Në rast të një vendimi lirues, personi i dënuar në shkallën e parë lirohet menjëherë.

Në përfundim të procedurës, Paneli i Apelit mund ta konfirmojë aktgjykimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë, të ndërhyjë në pjesë apo konstatime të caktuara të tij, ose ta kthejë çështjen për rigjykim.

Dy proceset e mëparshme zgjatën rreth 10 muaj e gjysmë

Deri më tani, Dhomat e Specializuara kanë trajtuar në Apel dy raste.

Në rastin e Salih Mustafës, dënimi fillestar prej 26 vjetësh burgim u ul në 22 vjet. Në rastin e Pjetër Shalës, dënimi prej 18 vjetësh u ul në 13 vjet burgim.

Të dyja procedurat e Apelit zgjatën rreth 10 muaj e gjysmë.

Kjo përvojë jep një orientim për kohëzgjatjen e mundshme të procedurës së shkallës së dytë edhe në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, megjithëse kohëzgjatja konkrete do të varet nga zhvillimi procedural i rastit.

Lexoni po ashtu:

Nga 24 vjet burg në pafajësi, rasti i gjeneralit kroat Ante Gotovina