Lajme

A po humbet Zvicra tërheqjen si vend farmaceutik?

Vendimet e fundit të gjigantëve farmaceutikë Roche dhe Novartis për të investuar miliarda në SHBA kanë ngritur pyetje mbi të ardhmen e Zvicrës si një qendër kryesore farmaceutike. Megjithatë, sipas ekspertëve të industrisë, këto lëvizje nuk përbëjnë domosdoshmërisht një rrezik për pozitën e Zvicrës.

Analisti farmaceutik Michael Nawrath thekson se investimet në SHBA janë strategjike, për t’u përshtatur sfidave të mundshme tregtare dhe tatimore të administratës amerikane. Ai sqaron se SHBA-të mbeten tregu më fitimprurës në botë, dhe vendosja e prodhimit atje është një hap i arsyeshëm, jo një largim nga Zvicra, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht zhvillimeve në SHBA, Zvicra vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme për kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe stabiliteti tatimor në rajonin e Bazelit e bëjnë atë ende shumë tërheqës për kompanitë farmaceutike.

Sipas Nawrath, nuk priten ulje të vendeve të punës në Zvicër dhe nuk ka arsye për alarm. Përkundrazi, politikat amerikane të fundit – përfshirë sulmet ndaj universiteteve elitare – mund ta bëjnë Zvicrën edhe më tërheqëse për talentet ndërkombëtare.