Lajme

Përplasen për pronësinë e “Trepçës”

Qeveria në Prishtinë është detyruar ta ndryshoj Ligjin për Pronësinë e “Trepçës”, i cili ngjalli reagime tek opozita. Në Beograd thonë se ligjin e ndryshuan ata

Pronësia e kompleksit metalurgjik “Trepça” ka përplasur të hënën në Kuvend ligjvënësit kosovarë dhe qeverinë e Kosovës. E zënën në defensivë, madje edhe nën trysninë ndërkombëtare, Qeveria në Prishtinë është detyruar ta ndryshoj Ligjin për Pronësinë e “Trepçës”, duke shpallë një “moratorium” të paktën për disa muaj.

Edhe pse, të hënë mbrëma, me procedurë të shpejtë, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e modifikuar për riorganizimin e ndërmarrjeve publike, çështja e “Trepça” mbeti nën mjegull. Gjatë kohës sa koalicioni po e shqyrtonte ligjin e ndryshuar, opozita e lëshoi seancën.

Nëse ligji do të miratohej, ashtu sië ishte parashikuar javën e kaluar, “Trepça” si ndërmarrje shoqërore që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, do të bëhej pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se qëllimi i ndryshimit është që “Trepça” të funksionojë në mënyrë normale dhe të parandalohet marrja e vendimit për likuidim të kësaj ndërmarrje.

“Qëllimi themelor i propozimit të këtij ligji është që ne të krijojmë kushte në mënyrë që “Trepça” të punojë në mënyrë normale, të përgatitet plani për organizim dhe strategjia lidhur me Trepçën. Po ashtu, si qeveri ne kemi vendosur që t’iu ofrojmë edhe ligjin për ndërmarrjet publike me të cilin ne kemi definuar organizimin e Trepçës më ligj të veçantë”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ndryshimi i shqyrtimit të ligjit në Kuvend është realizuar pas ndërhyrjes që ka bërë qeveria e Beogradit.

“Dhe në këtë drejtim ne e shohim si ndryshim të kursit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të ju përshtatur kërkesave të Qeverisë së Serbisë duke iu nënshtruar asaj politikisht edhe në këtë çështje”, tha Ymeri.

Edhe përfaqësuesja tjetër e opozitës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi, tha se deputetët e Aleancës do të votojnë vetëm ligjin i cili ka qenë i paraparë të votohet sot në mëngjes, për kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike, më qëllim të evitimit që “Trepça” të merret nga Serbia.

“Të gjitha veprimet tjera që po kalkulohen në përpjekje për të evituar sjelljen e ndryshimit të këtij ligjit, në fakt janë rënie nën presion para Serbisë dhe deklaratave që dëgjuam dje nga zyrtarët e saj”, ka thënë ajo.

Ndërsa ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se pozitat që i kanë marrë udhëheqësit e shtetit janë sikur në lojën e fatit “Gërvisht e fito”. Sipas tij, kushdo tjetër po qeveris vendin, vetëm Isa Mustafa jo.

“Ju kabinet qeveritar po dëshmoni që nuk dini të qeverisni një arë që jua kanë lënë baballarët e juaj, e lëre më të menaxhoni ndërmarrjet publike”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se subjekti i tij politik ”Nisma për Kosovën” nuk do t’i nënshtrohet diktatit të pakicës serbe. “Nuk do t’i nënshtrohemi diktatit të pakicës, sepse diktati është fashizëm dhe banditizëm e jo demokraci”, tha Krasniqi.

Ndryshe, për ligjin për Trepçën kanë reaguar ehe liderët politikë e institucional në Serbi. Ata kanë thënë se për kompleksin “Trepça” duhet të diskutohet në Bruksel, në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi. ndërsa ndryshimin e ligjit, ata e shohin si fitore të Serbisë për Trepçën.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pas një fushate intensive diplomatike gjatë vikendit, kur sipas tij ai kishte biseduar me shumë përfaqësues ndërkombëtarë, kishte arritur që të ndikonte në shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për marrjen e Trepçës nën pronësi.

“Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tani dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë sepse i keni edhe dy miniera të vogla në veri”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa kryetari i AAK-së dhe ish kryeministri, Ramush Haradinaj thotë se protestat janë të pashmangshme madje edhe të nevojshme pas asj që ndodhi me Trepçën.

“Kjo që po ndodh sot nuk jep asnjë garancë se “Trepça” mbetet në kontrollin e Kosovës dhe nuk kalon në një proces të falimentimit të mundshëm. Meqenëse është kështu, jemi duke shkuar në rrugën më të gabuar të mundshme, tejkalon edhe parashikimet me pesimiste. Shpresa është që gjithë qytetarët e vendit bashkë me spektrin politik të angazhohen me ndal një drejtim të gabuar të Qeverisë Thaçi- Mustafa”, tha ai.

Aktualisht në ndërmarrjen “Trepça” punojnë mbi 2500 punëtor, 1500 janë në pjesën jugore të qytetit që banohet nga shqiptarët dhe rreth 1050 persona punojnë në pjesën veriore të kësaj ndërmarrje, të banuar me serbë.

Të dyja njësitë, veri-jug, deri më tani janë administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ndryshe, miniera e “Trepçës” është një kompleks i madh industrial. Dikur kjo kompani kishte 23 mijë punëtorë, ndërsa ishte njëra nga kompanitë më të mëdha në Jugosllavinë socialiste. Pas Luftës së dytë Botërore, “Trepça”, ka qenë një konglomerat me 40 miniera dhe fabrika, që shtrihen më së shumti në Kosovë, por gjithashtu edhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Rezervat e përgjithshme minerale të të gjitha minierave të “Trepçës”, vlerësohen të jenë rreth 58 milionë tonë. E konvertuar në vlerë monetare me çmimet e sotme të tregut, kjo pasuri sillet prej 8-10 miliard euro.