Lajme

Godelli e Begaj, kampionë bote në peshëngritje

Daniel Godelli në peshën 77 kg dhe Romela Begaj në peshën 63 kilogram, fitojnë medaljet e arta në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po mbahet në Kazakistan

Daniel Godelli dhe Romela Bega fituan medaljet e artë në Botërorin e peshëngritjes që po mbahet në Kazakistan. Në peshën 77 kg, Godelli u bë peshëngritësi i parë shqiptar që arrin të marrë medaljen e artë në dygarësh në një kompeticion të tillë në sportin e peshëngritjes. Ndërsa edhe Begaj bëhet shqiptarja e parë që merr medalja të artë në botëror.

22-vjeçari Godelli mori medalje ari në stilin e shkëputjes pasi ngriti 171 kg, medalje argjendi në stilin e shtytjes me 198 kg dhe po ashtu medalje ari në dygarësh me 369 kg. Në këtë garë Danieli la pas kinezin Zhong dhe koreanin Jon Vi Choe.

Godelli tentoi të thyejë rekordin botëror në dygarësh, por dështoi në provën e tretë në stilin e shtytjes me 211 kg.

Ky është rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga një peshëngritës shqiptar në një kampionat botëror. Ndërkohë, siç raporton TCH, 42 vjet më parë, Ymer Pampuri mori medaljen e artë në stilin e forcës në Lojërat Olimpike “Mynih 1972”.

Ndërsa, peshëngritësi tjetër shqiptar që garoi në peshën 77 kg, kampioni i Evropës Erkand Qerimaj, arriti të zërë vetëm vendin e pestë në stilin e shkëputjes, ndërkohë që dështimi në 3 provat në stilin e shtytjes. Ky dështim bëri që shkodrani Qerimaj të mos përfshihet në renditjen e dygarëshit.

Edhe 28 vjeçarja, ish kampione e Evropës, Romela Begaj, është shpallur kampione e botës në stilin e shkëputjes në peshën 63 kg. Ajo ngriti 113 kg në këtë stil.

Begaj ngriti 108 kg në provën e parë, dështoi në të dytën me 113 kg dhe në të tretin arriti të triumfojë.

Godelli, ndërkaq u deklarua edhe për mediet shqiptare. Ai tha se ndihet shumë i lumtur që ka fituar këtë titull. “Nga ana psikologjike ndihesha shumë mirë sepse kisha shumë njerëz afër që më jepnin kurajo, kështu që nuk e kisha problem. Pesha më mundoi pak por ja dola”, tha ai.

Pyetja se cili ishte momenti më emocional i garës dhe kureshtja se përse nuk arriti të thyente rekordin botëror. “Momenti më emocional ishte kur tentova të thyeja rekordin e botës. E kisha provuar atë peshë edhe në stërvitje në palestër, por për një pakujdesi të vogël nuk arrita ta thyej”, deklaroi Dodelli.