Lajme

“Monstra”, familjarët e të dënuarave jetojnë në ankth

Familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra” besojnë ky është një proces i montuar politik, gjyqësor dhe policor

“Monstra” është montim! Familjarët e të dënuarve me burg të përjetshëm në Maqedoni thonë se rasti “Monstra” është një proces i montuar politik, gjyqësor dhe policor. Ata rrëfejnë tmerrin, që përjetuan gjatë këtyre viteve nga autoritetet maqedonase.

 

Familjarët e shqiptarëve që u dënuan me burgim të përjetshëm në rastin “Monstra” në Maqedoni, po vazhdojnë në jetojnë nën ankth, duke përkujtuar tmerrin që përjetuan gjatë dy viteve të kaluara. Familja e Sami Lutës, njërit nga të burgosurit, është e bindur se po e përjetojnë tragjedinë e një procesi të montuar politik, gjyqësor dhe policor.

 

Në këtë familje ka kohë që është vendosur flamuri kuqezi, i cili qëndronte gjysmështizë prej kohës kur Samiu ishte martuar nga Prizreni.

 

Dhjetëra trofe e mirënjohje të fituara për angazhimet në karate, tashmë qëndrojnë në dhomën e pritjes së mysafirëve, në shtëpinë e familjes Luta që është me prejardhje nga Kaçaniku, por që tash e gati një shekull jeton në lagjen e “Serovës” në Shkup. Nëna e Sami Lutës, Ibadetja, i ruan me kujdes edhe gazetat që kishin shkruar për sukseset e djalit të saj, një fitues i shumëfishë i garave në karate.

 

E fituesi i trofeve, i riu Sami Luta dhe të tjerët u gjetën fajtor se dy vjet më parë kishin ekzekutuar pesë të rinj maqedonas derisa ata po peshkonin tek liqeni i Smilkovës, në afërsi të autostradës, jo larg kryeqytetit të Maqedonisë – Shkupit.

 

“Të vetmin djalë e kisha dhe me të shteti nuk po më lë të kënaqem, t’i gëzoj sukseset e tij”, thotë Ibadete Luta, nëna e Samiut, i dënuar me burg të përjetshëm nga organet e drejtësisë maqedonase.

 

Në një rrëfimin për “Zërin” ajo tregon se djali i saj nuk kishte kurrfarë ngarkesa etnike dhe kurrë nuk do ta bënte një krim të tillë, për çfarë u dënua. Madje, thotë se Samiut dhe gjithë familjes i kishte ardhur shumë keq kur kanë dëgjuar për krimin që kishte ndodhur tek Liqeni.

 

“Ai gjithë mjeshtërinë e mësoi nga maqedonasit dhe ka vazhduar të punojë me ta. Nuk kishte asnjë arsye që të bënte një veprim të tillë”, thotë Ibadete Luta, nëna e Samiut. “Disa javë, pasi ndodhi ngjarja tek Liqeni, ne u bastisëm”, thotë Ibadetja, gruaja që mban në kokë një shami tradicionale, rreth të gjashtëdhjetave.

 

Ajo tregon se pas bastisjeve djali i saj ka qenë i lirë dhe ka shëtitur dhe ka punuar vazhdimisht. “Bëmë edhe dasmën. Kishim të ftuar shumë njerëz. Pas dasmës, Samiu me të shoqen shkoi në mënyrë krejtësisht legale edhe në Itali ”, thotë ajo.

 

Vlora Luta, bashkëshortja e Samiut, është edhe shtetase italiane. Ajo ka besimin se drejtësia në fund do të triumfojë dhe do të jetojë së bashku me njeriun e ëndrrave të saj. “U nisëm për në Kaçanik në një dasmë të një familjari tonë. Unë isha me fustan dasme, kurse Samiu me kostume”, thotë Vlora Luta, sipas të cilës, lajmi se e kapën në ikje Samiun ishte vetëm fillimi i manipulimeve në këtë proces, që gjithë familja e quan të montuar.

 

Ngjitur me burgun e Shutkës, ku po qëndron Samiu në pritje të thyerjes së vendimit për burg të përjetshëm të shqiptuar javën që shkoi, jeton familja Aziri.

 

Ndonëse, të shpërngulur shumë vite më parë në Shkup, nga fshati Brezë, në kufi me Kosovën, familjarët edhe më tutje vazhdojnë të jetojnë kryesisht prej blegtorisë dhe bujqësisë.

 

Familja Aziri, kishte koncesionuar 40 hektarë tokë nga shteti maqedonas, pikërisht tek Liqeni, ku kishte ndodhur vrasja.

 

Por, pas vrasjes së të rinjve maqedonas, ato toka më nuk iu lanë në shfrytëzim familjes Aziri. Me pretekstin se nuk kishin kryer obligimet ndaj shtetit, familjes iu revokua koncesionimi, megjithëse familjarët prisnin subvencionet e Qeverisë për të mbjellat, për të realizuar përmes tyre obligimet ndaj Qeverisë.

 

Rasti “Monstra” në Maqedoni ka ngjallur reagime të shumta tek faktori vendor dhe ndërkombëtar. Ekspertë të drejtës kushtetuese në Maqedoni, thonë se ky rast është një nga më drastikët, ku bëhet fjalë për një proces të montuar politik, gjyqësor dhe policor.

 

“Është proces i montuar politik për shkak se shtetit maqedonas urgjentisht dhe në mënyrë jetësore i duhet një vendim gjyqësor në të cilin shqiptarët do të dënohen dhe të gjykohen për terrorizëm, në mënyrë që këtë vendim gjyqësor ta përdorë në realizimin e qëllimeve të ndryshme politike, sidomos në integrimet në NATO dhe BE”, thotë Jeton Shasivari, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin të Evropës Juglindore.