Lajme
“Politikanët e Kosovës shesin iluzione”
“Viktima e parë e fushatave zgjedhore në Ballkan është lidhja me realitetin. Kjo vlen sidomos për Kosovën, shtetin më të ri në regjion, ku të dielën mbahen zgjedhjet"
Zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Kosovë, po ndiqen me interesim nga mediet e vendeve gjermanishtfolëse. Shumica e gazetave qendrore të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës i kanë kushtuar hapësirë të konsiderueshme atmosferës para zgjedhjeve gjegjësisht kanë raportuar gjerësisht lidhur me sfondin e përgjithshëm në të cilin pritej të zhvilloheshin ato.
Njësoj edhe televizionet e këtij regjioni të madh gjuhësor, organizimit të zgjedhjeve i kanë kushtuar minutazhë të madhe, gjegjësisht kanë emetuar emisione të veçanta nga të dërguarit e tyre në Kosovë.
Në shumicën e raportimeve mediatike vihet në pah se në “shtetin e ri” përkundër disa sukseseve, kryesisht sa i takon relaksimit të marrëdhënieve me Serbinë, ka munguar zhvillimi i pritur dhe i premtuar për këto vite të ekzistimit si shtet i pavarur.
Gazeta prestigjioze e Cyrihut, “NZZ”, artikullin e saj paraprijës për zgjedhjet në Kosovë e ka titulluar “Politikanët e Kosovës shesin iluzione”.
Shifra pa mbulesë
“Viktima e parë e fushatave zgjedhore në Ballkan është lidhja me realitetin. Kjo vlen në veçanti për Kosovën, shtetin më të ri në regjion, ku të dielën mbahen zgjedhjet e parakohshme (…). Rreth 1.8 milion banorëve të vendit u premtohet e pamundura. 200 mijë vende të reja pune premton për katër vitet e ardhshme PDK-ja e kryeministrit Thaçi.
Por, se si do t`i krijojë këto vende pune, ai nuk e sqaron me asnjë fjalë.
120 mijë vende pune i ofron LDK e shefit të opozitës, Isa Mustafa. Se si mund të arrihet kjo në një vend që viteve të kaluara mezi ka arritur të krijojë nga 10 mijë vende pune, mbetet e pathënë…”.
NZZ më tutje shkruan se Kosova ka një perceptim jashtë vendit falë përpjekjeve të veta dhe para së gjithash falë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Por popullit i intereson më pak kjo dhe më shumë gjendja socioekonomike. Me gjithë rritjen vjetore prej mesatarisht mbi 3 për qind të ekonomisë, kjo nuk mjafton as për së afërmi që një vend me një të tretën e popullatës së përgjithshme dhe gjysmën e të rinjve të papunë, të krijojë vende të reja pune.
Më tutje gazeta shkruan se raporti i forcave në mes të partive nuk ka pësuar ndonjë ndryshim substancial nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2010. Kështu, edhe shpërbërjen e parlamentit, Thaçi e ka bërë nga një pozicion relativisht i fortë i tij, kështu që ai “edhe këtë të diele mund të llogarisë me numrin më të madh të votave. Kjo shpjegohet më pak me fuqinë rrezatuese të partisë së tij se sa me popullaritetin e shefit të saj, Thaçit. Një mandati të tretë të Thaçit nuk i del asnjë pengesë përpara, me gjithë skandalet panumërta qeveritare që ai ka mundur t`i kalojë nga viti 2007, falë instinktit të tij të sigurt të fuqisë”.
“Gjenerata `Newborn`ngre krye”
Ndërsa për rivalin kryesor të PDK-së dhe të Thaçit, LDK-në e Isa Mustafës, gazeta shkruan se në zgjedhje paraqitet nga një pozicion më pak i mirë. Kjo parti me Isa Mustafën në krye, ka një lider më pak karizmatik. Sipas sondazheve, vazhdon gazeta, vendin e dytë megjithatë e ka të siguruar. Por, pasi që Mustafa e përjashton një koalicion të madh me Thaçin dhe të dy partitë e mëdha janë larg nga ajo që të fitojnë një shumicë absolute veç e veç, partitë e vogla janë ato që fitojnë në peshë në ndërtimin e qeverisë. Këtu, sipas NZZ në radhë të parë vjen AAK-ja e Haradinajt por edhe AKR-ja e Pacollit.
Magazina gjermane “Der Spiegel” bën një përshkrim jetësor nga atmosfera në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Në artikullin me titullin “Gjenerata `Newborn`ngre krye”, revista pasqyron jetën e të rinjve në Prishtinë, me synimet, e tyre, ëndrrat dhe zhgënjimet. Sipas saj, të rinjtë janë lodhur me oligarkët në fuqi – “50 nga 120 deputetët e Parlamentit të Kosovës janë milionerë” – dhe duan përfaqësim tjetër. Valentina, një e re e diplomuar, fjala vjen, votën e saj do t`ia japë profesorit të ekonomisë, Isa Mustafës së LDK-së. Për ndryshim nga të tjerët, sipas Valentinës, “ai së paku nuk është i korruptuar dhe nuk i ka duart me gjak”.
Të rinj të tjerë kanë preferenca tjera. Lëvizja Vetëvendosje po edhe fenomeni më i ri i skenës politike kosovare, “Partia e Fortë” bëjnë pjesë në këto preferenca, shkruan Der Spiegel. “Kryetari lexhendar” i saj, Visar Arifaj, thotë se u premton votuesve “gjithçka që ata duan”. Më shumë lëvizje satirike se sa parti politike “Partia e Fortë” ironizon me realitetin e sotëm kosovar.
Opozitarët zihen mes vete
Gazeta austriake “Der Standard” në artikullin e saj lidhur me zgjedhjet shkruan se “pas shtatë vitesh në qeveri dhe shumë skandaleve të korrupsionit të Thaçit dhe PDK-së së tij, do të ishte reale të mendohej se opozita do ta kishte të lehtë ndërrimin në fron. Por, partitë opozitare gjatë ditëve të fundit më shumë janë zënë mes vete, në vend se të lidheshin së bashku në një referendum kundër qeverisë Thaçi.
Veç kësaj, forca kryesore opozitare, LDK nuk ia ka dalë të reformohet. Kandidati i saj kryesor Isa Mustafa ka humbur një vit më parë në zgjedhjet lokale Prishtinën, të cilën e ka fituar Lëvizja Vetëvendosje”. Kjo parti, që konsiderohej e izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, sipas analistëve që ka kontaktuar gazeta, ka filluar të bëhet më e pranueshme, për faktin se në kreun e saj ka futur figura me prejardhje të ndryshme politike.
“Edhe Thaçi ka bërë një prezantim ndryshe. Nuk kandidojnë më në rreshtin e parë luftëtarët e vjetër të UÇK-së, por njerëz të rinj”. Thaçi po provon të fitojë simpatinë e votuesve me `dhurata”. Ai ka shpallur rritje pagash në sektorin publik dhe ulje të pagesave për studime. Por, se ku do t`i marrë ai paratë e munguara për universitetet, ai natyrisht që nuk e sqaron”, shkruan “Standard”.
Transmetuesi publik zviceran (SRF), prej disa ditësh paraqitet me raportime televizive, radiofonike dhe me shkrim nga Kosova me ç`rast pasqyron atmosferën parazgjedhore që ka mbretëruar atje. “Një shtet i ri me sëmundje fëmijërore” mban titullin artikulli i publikuar sot në portalin e srf.
Zgjedhjet, në hijen e aferave korruptive
“Kosova voton. Por zgjedhjet parlamentare bien nën hije të akuzave për korrupsion, lista të falsifikuara të zgjedhësve dhe të konflikteve me pakicën serbe. Thaçi, prej gjashtë vitesh kryeministër, gëzon popullaritet të lartë në vend përkundër faktit se ai gjatë mandatit të tij nuk ka mundur ta ngrejë ekonominë e rënë përtokë të vendit më të varfër të Evropës.
Me gjithë akuzat për korrupsion, shumica e sondazheve i paraqesin Thaçin dhe partinë e tij “me primesa socialdemokratike” si fitues, me rreth një të tretën e votave. LDK, si një parti konservative llogaritet të ketë rreth 25%, shkruan srf. Sipas saj, Vetëvendosje, e cila vitin e kaluar e fitoi pushtetin mbi kryeqytetin, Prishtinën, pritet të fitojë rreth 15% të votave.
Radiotelevizioni publik zviceran është marrë edhe me fenomenin e Partisë së Fortë, e cila përmes satirës dhe sarkazmit synon parlamentin e vendit. (shih artikullin në albinfo.ch).
Marrë në tërësi, ekspertët nuk presin befasi të mëdha në ditën e zgjedhjeve. “Të gjitha partitë relevante sipas rregullit janë të varura nga një numër i vogël i oligarkëve. Këta, përmes blerjes së votës dhe manipulimeve të listave të votuesve kanë ndikim më të madh në rezultatin e zgjedhjeve se sa qytetarët e vendit”, shkruan srf.ch. (B.SH.)
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











