Lajme

Një punëtor nxirret i gjallë nga gërmadhat

Pas disa orësh, forcat e FSK-së kanë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat punëtorin Tefik Bala. Ai është dërguar në emergjencë, ndërsa FSK po e kërkon edhe një person tjetër

Njësiti i Kërkim Shpëtimit i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) pas disa orësh ka arritur ta nxjerrë të gjallë nga rrënojat, njërin nga punëtorët e Termocentralit “Kosova A”, për të cilin raportohej se ka vdekur. Nxjerrjen e Tefik Balës nga gërmadhat e kanë raportuar edhe mediet në Kosovë.
 
Bala është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
 
Njësitet e FSK-së kanë nxjerrë tashmë një punëtor të vdekur, ndërsa po bëjnë përpjekje për ta nxjerr edhe një person tjetër për të cilin po shpresojnë se është akoma i gjallë. Megjithatë, sipas mjeko-ligjorit Arsim Gërxhaliu, gërmadha është shumë e thellë dhe është vështirë të konfirmohet nëse është apo jo i gjallë.
 
“Në këtë moment mund të konfirmojmë se kemi identifikuar vetëm një viktimë përderisa njësitë e specializuara janë të kërkim të dy personave të humbur të cilët pretendohet që kanë qenë në atë zonë në momentin e aksidentit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Korporatës Energjetike të Kosovës.
 
Ndryshe, tragjedi në termocentralin Kosova A në Obiliq ndodhi rreth orës 10.30 minuta, kur një bombol gazi kishte eksploduar në njërin nga raportet e këtij Termocentrali. 13 punëtor kërkuan ndihmë në Klinikën Universitare, ndërsa fillimisht u raportua për tre të vdekur, mirëpo deri më tani është konfirmuar vetëm një viktimë.
 
Pas këtij incidenti, partitë politike e pezulluan fushatën zgjedhore, ndërsa u konfirmuar që mos të bëhet politikë me tragjedinë. Nxjerrja nga sistemi i termocentralit “Kosova A”, ka ashpërsuar orarin e reduktimeve të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës.