Lajme

Kosova në luftë me trafikantët e migracionit

Brenda gjashtë muajve të këtij viti, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në 23 raste, duke arrestuar disa grupe të kontrabandistëve me emigrantë. Azilkërkimi konsiderohet “kancer” për perspektivën kosovare

Kosova për vite të tëra ka qëndruar në maje të listave të Bashkimit Evropian për kërkim të azilit, ndërsa shumica e refugjatëve kanë hyrë në BE-së nëpërmjet kanaleve ilegale. Për të parandaluar këtë dukuri, autoritetet kosovare kanë nisur luftën kundër grupeve kriminale, që migrimin e kanë shndërruar në biznes.

Brenda gjashtë muajve të këtij viti, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në 23 raste, duke arrestuar disa grupe të kontrabandistëve me emigrantë. Nga këtu grupe janë konfirmuar edhe një mori dokumentesh të falsifikuar, që dëshmon se kontrabandistët janë sofistikuar nga aspekti kriminal.

Këto raste, siç tha për “albinfo.ch”, Brahim Sadriu nga Zyra për Informime Policisë, janë trajtuar nga njësitet përkatëse të Policisë kufitare dhe drejtorisë kundër krimit të organizuar.

“Vetëm në 14 raste që ka trajtuar policia kufitare janë zbuluar, identifikuar dhe arrestuar 14 grupe të personave për të cilët dyshohet se në mënyre të organizuar kanë  kontrabanduar emigrantë nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, deklaroi Sadriu.

Në këto raste, sipas tij, janë arrestuar 23 persona ndërsa janë identifikuar 32 viktima të kontrabandimit.

Në vitin 2012, ndërkaq sipas Sadriut, janë identifikuar dhe arrestuar 19 grupe të personave që dyshohet të jenë marrë me kontrabandim me emigrantë e të cilët kanë vepruar si grupe kriminale.

“Gjatë këtyre operacioneve është arrit të konfiskohen dokumente dhe pajise të ndryshme në cilësi të provave materiale”, deklaroi ai.

Emigrimi i rrejshëm konsiderohet si armiku më i madh i procesit integrues të Kosovës. Madje, numri i madh i refugjatëve kosovarë ka shtyrë për disa muaj, ndoshta edhe me vite, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Brukseli ka kërkuar nga Prishtina më shumë punë në parandalimin e azilit.

Gëzim Kasapolli është zëvendësministër i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës. Ai tha se lufta kundër trafikimi ilegal është një luftë e pandalshme dhe është një proces në të cilin Kosova ka hyrë. Rezultatet e kësaj lufte, sipas tij, nuk janë të menjëhershme, por hap, pas hapi.

“Ne kemi arritur disa suksese me arrestimin e grupeve të ndryshme nga policia e Kosovës që kanë trafikuar emigrantë, por megjithatë mbetet punën për t’u bërë. Por, ajo çka garanton Kosova është se ne do ta luftojmë këtë fenomen, me të cilin përballet jo vetëm Kosova por gjithë rajoni”, tha ai.

Migrimi ilegal, siç the Kasapolli, është ‘kancer” për proceset në të cilat ka hyrë Kosova. “Kemi bërë thirrje disa herë që qytetarët e Kosovës ti evitojnë rrugët ilegale të depërtimit për shkak se pengojnë rrugën e Kosovës në rrugën e saj drejtë BE-së”, tha zëvendësministri.

Kasapolli tha se azili nuk është opsion për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga stimulimi që iu bëhet nga grupe të ndryshme, por që ky opsion më nuk është i qëndrueshëm.

“Qytetarët e Kosovës do të përjetojnë njëjtë sikurse ata që kanë përjetuar në Francë, e çka është më e keqja edhe ne do të vuajmë nga këto gabime që i bëjnë qytetarët tanë për të migruar ilegalisht, posaçërisht në këtë fazë kur çështja e liberalizimit të vizave është afër”, tha mes tjerash Kasapolli.

Ndërsa analistët politikë në Prishtinë akuzojnë Qeverinë e Kosovës që nuk ka krijuar kushte më të mira për qytetarët e saj, që ata mos të emigrojnë, por të qëndrojnë në Kosovë.

Analistë Behxhet Shala e bënë përgjegjës Qeverisë e Kosovës e cila nuk ka hartuar politika për hapjen e vendeve të punës dhe zbutur në një farë forme papunësinë dhe varfërinë e madhe, me të cilën përballen më shumë se gjysma e popullatës.

Ai ia tërhoqi vërejtjen qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar se me forma represive nuk zhvillohet problemi i emigracionit, porse sipas tij, paraprakisht duhet krijuar parakushtet me qëllim që njerëzit të kenë ku të kthehen.

“Qeveria e Kosovës duhet të merret me masat parandaluese dhe jo më pasojat në një mjedis ku 60 për qind e qytetarëve, dhe 20 për qind në varfëri të skajshme”, ka thënë ai.

Shala është skeptik se më këtë mënyrë të qeverisjes të parandalohet trafikimi i njerëzve drejtë vendeve perëndimore.

“Njerëzit edhe me vullnetin e tyre pranojnë të trafikohen vetëm për të siguruar kafshatën e gojës, duke menduar se nëpër vendet perëndimore do të bëjnë një zgjidhje sado të vockël që është ajo, edhe pse jemi dëshmitarë të asaj se çka kanë përjetuar qytetarët tanë që ia kanë mësyrë shteteve të Evropës nëpër burgjet e Hungarisë, e në Francë në kushte tmerrësisht të vështira”, ka thënë ai.

Këto skena që i kemi parë ka thënë ai, do të duhej të ishin sinjal për institucionet e Kosovës e posaçërisht për ata qytetarë që mendojnë të bijën pre e trafikimit.
Shala shfaq mendimin se duhet forcuar mënyra ndëshkimore e trafikantëve, të cilët pas një kohe të shkurt që arrestohen, lirohen dhe vazhdojnë biznesin e tyre profitabil.

Ndryshe, nga viti 2009 e deri në gusht të vitit 2013, për të kërkuar një jete më të mirë, në drejtim të Bashkimit Evropian kanë ikur rreth 66 mijë azilkërkues kosovarë. Vendi më i preferuar nga kosovarët gjatë këtyre viteve, ka mbetur Franca dhe Gjermania me 30 mijë azilkërkues.

Ky është vetëm numri i atyre që zyrtarisht janë paraqitur si azilkërkues, derisa mijëra të tjerë nga frika se do të kthehen ende bredhin rrugëve të Evropës në mënyrë ilegale. Ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti, numri i azilkërkuesve nga Kosova është gjithsej 14 mijë e 345, në dymbëdhjetë muajt e parë të vitit 2012 numri i azilkërkuesve nga Kosova ka qenë 10 mijë e 920 persona.

/msh/