Lajme
„Tetori Gjerman“ në Shqipëri
Nga 27 shatori e deri më 19 tetor zhvillohet në Shqipëri edicioni i shtatë i “Tetorit Gjerman” me titullin “25 vjet bashkëpunim ekonomik”
Aktivitete dhe projekte të përbashkëta gjermano-shqiptare zhvillohen gjatë gjithë vitit, por prej shtatë vitesh është aplikuar formati i ndërtimit të një kalendari intensiv në periudhën e vjeshtës, duke ofruar evenimente cilësore, jo vetëm në Tiranë por dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Edicioni i shtatë ka për kredo “25 vjet bashkëpunim ekonomik”, si një kujtesë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në projekte konkrete me impakt të drejtpërdrejtë për qytetarët, si në infrastrukturë, kanalizime dhe ujësjellës, energjetikë, turizëm, mbrojtjen e mjedisit, bujqësi, arsimin profesional etj.
Për referenten e kulturës dhe zëdhënësen e ambasadës gjermane, Christiane Wolters, „Tetori Gjerman“, përbën sfidën e parë të misionit të saj në Shqipëri.
Wolters ka vetëm pak javë që ka mbërritur në Shqipëri dhe thotë për DW se çdo edicion i Tetorit Gjerman ka diçka të re për t’i thënë publikut.
“Sepse ne gjithmonë kemi pasuruar agjendën me elementë të rinj, për të befasuar, si dhe për të përmbushur dëshira të ndjekësve të aktiviteteve që zhvillohen.”
Ajo përmend një sërë aktivitetesh muzikore, si trioja e muzikës klasike shqiptaro-frencezo-gjermane, e cila do të performojë në Korçë dhe në Tiranë, pjesa “Peteri dhe ujku”, sipas fabulës muzikore të Sergej Prokofjew, që do të luhet në gjermanisht dhe shqip, në Elbasan dhe në Tiranë, ndërkohë që për të dytin vit radhazi vijnë sopranoja Caroline Merz dhe pianisti me origjinë shqiptare Desar Sulejmani, për një kurs interpretimi të romancës vokale gjermane me pjesëmarrjen e studentëve nga Universiteti i Arteve në kryeqytet.
“Premierë për publikun shqiptar është një aktivitet që përmban një konferencë shkencore dhe një ekspozitë fotografish, ku protagonist i saj është albanologu i njohur gjerman prof. dr Wilfried Fiedler. Për herë të parë në Tiranë do të publikohen disa foto të rralla me ngjyra të periudhës së viteve 1956 – 1959, që janë pjesë e arkivit privat të prof. dr Fiedlerit. Veç ekspozitës do të mbahet dhe një konferencë shkencore, e cila do të trajtojë çështje të historisë dhe aktualitetit të albanologjisë”, thotë për DW, Christiane Wolters, referente e kulturës dhe zëdhënëse e ambasadës gjermane në Shqipëri.
Për ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Hellmut Hoffmann, qëllimi i aktiviteteve është që të bashkojnë dhe argëtojnë njerëzit. “Tetori Gjerman është shndërruar tanimë në një traditë fikse në Shqipëri dhe është kënaqësi, që edhe këtë vit mundëm së bashku me partnerët tanë të hartonim një program kaq të larmishëm. Me këto aktivitete të shumta ne ftojmë bashkërisht, shqiptarë dhe gjermanë të njohin më mirë njëri-tjetrin”.
Kjo konkretizohet dhe nga oferta për publikun, ku ka projekte që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë njerëz nga të dy vendet. Pikërisht kjo ndodh, kur grupi i rrokut berlinez “Samavayo” do të dalë turne në Shqipëri, apo kur Katharina Horn të tematizojë sfida ndërkulturore të bashkëjetesës së një çifti gjermano-shqiptar në shfaqjen e saj teatrale “Extreme Makeover”.
Aktiviteti i “Tetorit Gjerman 2013” është ekspozita në ambientet e muzeut historik kombëtar në Tiranë “Elektrifikimi i të përditshmes”, një udhëtim në historinë, aktualitetin dhe perspektivën e sistemit energjetik të Shqipërisë.
Autorët Florian Bachmeier dhe etnologu Dr.Eckehard Pistrick, me një fond që nuk është publikuar më parë, përpiqen të japin një tablo se si energjia elektrike iu ka ndryshuar jetën shqiptarëve.
Por jo pa qëllim në qendër është sistemi energjetik, një sektor ku Gjermania nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, ka realizuar ose ka në proces shumë projekte mbështetëse.
/dw & albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Sabahet Meta: “Kino Kosova” është një hapësirë dialogu përmes filmit "Synimi ka qenë krijimi i një hapësire të qëndrueshme për promovimin e filmit kosovar dhe shqiptar,... -
“Kino Kosova” hapi dyert me sallat plot dhe rrëfime që sollën Kosovën në ekran -
Amerikë
Gonxhe Halimi nga Gjilani diplomon si studentja më e dalluar në SHBA në Shkenca Kompjuterike -
Mira Murati dëshmon në gjyqin Musk-Altman: “Sam Altman krijonte kaos në OpenAI” -
Amerikë
Melisë Sejdiu dhe Rea Hadri pranohen në Universitetin e Pittsburghut
Jeta në Austri
-
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” Artisti shkodran përfaqëson Shqipëria në Eurovision Song Contest, ndërsa publiku nga Kosova mund ta mbështesë përmes... -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri













