Lajme

Intelektualët, peticion kundër rishikimit të historisë

Shkrimtarë, publicistë, kritikë letrarë, aktorë e kompozitorë, kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, që të mos e ndryshojnë historinë, sipas kërkesës turke

Rishikimi i historisë shqiptare së bashku me autoritetet turke, ka ngjallë reagime në gjithë spektrin intelektual shqiptarë. Shumë gazetarë, shkrimtarë, publicistë, kritikë të njohur të trevave shqiptare, e në mesin e tyre edhe shkrimtari Ismail Kadare, kanë nënshkruar peticionin kundër rishikimit të historisë.

Peticioni i është drejtuar presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjaga, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nënshkruesit e peticionit mbështesin, qëndrimin se, faktet historike dhe argumentet shkencore, janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi.

“Ato s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes një perandorie pushtuese dhe një kombi të pushtuar, pas një qëndrese që përbën një faqe të ndritur jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Evropës”, thuhet në reagimin e përbashkët.

Në peticionin dërguar këtyre autoriteteve të larta shtetërore thuhet se, pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar.

“Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Evropa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit”.

“Nuk mund të pajtohemi kurrë dhe dënojmë përpjekjet e disa pseudohistorianëve dhe të segmenteve të caktuara politike, të cilat përpiqen që shekujt e gjatë të pushtimit osman t’i paraqesin si kohë të bashkëjetesës paqësore dhe të suksesshme”, shkruan në peticion.

Përpjekjet që interpretimi i historisë të bëhet në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të së vërtetës, siç thuhet më tej në reagim, janë të rrezikshme dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen e përbashkët.

“Ndryshimi i historisë në formë arbitrare, duke i ardhur rreth oreksit të diplomacisë turke, krijon një precedent të rrezikshëm: pas disa vitesh edhe Serbia mund të kërkojë të shpallet vetëm një administratore në Kosovë dhe ajo të vlerësohet pozitivisht për lirinë, pavarësinë, kulturën dhe identitetin tonë”, thonë ata.

Paqja e bazuar në drejtësi është përvojë që i ka ndihmuar shumë popujve të kuptojnë të kaluarën, pa e mohuar atë, pa i fshehur ose shtrembëruar të vërtetat historike.

“E vërteta është e padiskutueshme”, citojnë peticionshkruesit në reagimi e tyre.

Ndryshimet e historisë, që synojnë rehabilitimin e pushtimit osman, siç thonë ata, përbëjnë një lojë të rrezikshme që hap një plagë të thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare.

“Ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshëm për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar”, shkruan në peticion.

Në mesin e atyre që kanë nënshkruar peticionin janë edhe: shkrimtari Ismail Kadare, kritiku i letërsisë Anton Berishaj, kompozitori Akil Koci, shkrimtari Adem Gashi, publicisti Beqë Cufaj, sociologu Daut Demaku, publicistja Flaka Surroi, etj.

Një grup ekspertësh nga Turqia do të vijnë në Kosovë në muajin mars, për të konstatuar nëse janë hequr termat në tekstet e historisë që ofendojnë të kaluarën e këtij shteti

Ndryshe, janë ekspertë nga Turqia do të japin vlerësimin e fundit nëse tekstet e historisë të rishikuara nga Komisioni i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, janë kompaktibil me të kaluarën e Perandorisë Turke në Ballkan.

Është Ankaraja zyrtare ajo që ka kërkuar rishikimin e historisë në Ballkan, pas që për dekada të tëra shqiptarët dhe kombet tjera në rajon, e kanë konsideruar Perandorinë Turke si pushtuese të Ballkanit. Madje gjithherë ka mbizotëruar epiteti se ata kanë qenë armiq që kanë bërë krime.